Kështu blihet lojaliteti, brenda një viti Agim Ademi i dha benificione Komitetit Ekzekutiv mbi 127 mijë euro të FFK-së
Plot 127 mijë e 652 euro janë paratë që u janë dhënë vetëm brenda një viti 11 anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv në formë të benificioneve shtesë, përveç pagave mujore që i kanë të rregullta në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Albanian Post ka siguruar të gjitha kompensimet dhe beneficionet që kanë marrë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe del se paratë e përfituara në këtë mënyrë kalojnë për shumëfish të ardhurat nga pagat e rregullta.
Madje, ka raste si ai i Mirsad Çollakut i cili ka përfituar brenda një viti 26 mijë e 800 euro, të gjitha këto para përtej rrogës bazë që e ka.
Në situata normale, kompensimet janë një shtesë e rrogës për punë të caktuara, por këtyre anëtarëve të bindur të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, të ardhurat nga këto kompensime në të gjitha rastet ua tejkalojnë pagën bazë.
Për shembull, anëtarja e Komitetit Vjollca Krasniqi, pagë bazë vjetore ka 6 mijë euro, por të ardhurat nga beneficionet i shkojnë asaj në vetëm një vit 14 mijë e 580 euro, që përbën më shumë se dyfshin e rrogës për një vit.
Kështu ndodhë edhe me të gjithë anëtarët e tjerë, të cilëve u variron shuma e parave të përfituara në këtë formë, por secilit prej tyre këto përfitime ia tejkalojnë pagën.
E gjithë kjo skemë e këtij lloj përfitimi jo ligjor, ku shtesat tejkalojnë pagat, bëhet për një qëllim të vetëm, vota lojale e tyre për Ademin, kurdo që atij i duhet.
Por, sipas ligjit kjo përbën keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ata dyshohen se në bashkëkryerje gjatë vitit 2021\22, kanë shpenzuar mijëra euro në emër të pagesave të rregullta mujore dhe në emër të shpenzimeve, mëditjeve, kompensimeve shtesë dhe benificioneve si anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
Kjo shpërndarje e verdhushkave nga anëtarët e Komitetit për veten e tyre u bë pa i miratuar fare ato përfitime nga Kuvendi i FFK-së.
Sipas të dhënave bankare që ka siguruar Albanian Post, Agim Ademi dhe anëtarët e Komiteti Ekzekutiv të FFK-së; Mirsad Çollaku, Vjollca Krasniqi, Ismajl Ajeti, Xhelal Broja, Agim Dibrani, Agim Nura, Naser Ajeti, Bakir Burri, Predrag Joviç dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke ndarë beneficione për veten.
Kjo shkelje sanksionohet me Ligjin për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare.
Aty thuhet se “se pasurit, të ardhurat dhe fitimet e OJQ-së nuk përdoren për të sjellë drejtpërdrejtë ose tërthorazi përfitime, për ndonjë themelues, drejtor, zyrtar, anëtar, punonjës ose donator të OJQ-së, përveç pagesës për personat që kryejnë punën për organizatën”.
Po ashtu, dyshohen se kanë shkelur nenin 32, pika 1, që ka të bëjë me konflikt të interesit dhe detyrimi në lojalitet, pasi që aty potencohet se “asnjë anëtari të organit drejtues nuk i lejohet të marr pjesë në diskutim apo në marrjen e vendimit për çështje kur ai ka interes privat të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, personale ose pasurore, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit”.
Keqpërdorimet fillojnë, ashtu siç pritej, nga kreu i FFK-së, Agim Ademi.
Ademi kishte deklaruar se nuk merr pagë të rregullt, por ai nga marrja e detyrës në korrik të vitit 2018 deri në vitin 2020 ka marrë pagë në FFK, ndërsa gjatë vitit 2021, ka marrë kompensime për pushime 2 mijë euro.
Ndërsa, në emër të shpenzimeve të tjera ka përfituar edhe 7 mijë e 311 euro. Në total 9 mijë e 311 euro.
Të dhënat që posedon AP janë vetëm për vitin 2021, por mediumi merr vesh se praktika e tillë ka vazhduar edhe në vitet pasuese.
Gjetjet në këtë hulumtim janë për pagesat në dy llogaritë që FFK-ja i ka në TEB bank: 20-11-0001864944-71, derisa nuk dihet nëse ka ndonjë pagesë për Agim Ademin në llogaritë e tjera të FFK-së.
Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Vjollca Krasniqi, në emër të pagesës së rregullt si anëtare e KE-së, në vitin 2021 ka marrë 6 mijë euro, ndërsa pagesa shtesë, benificione në emër të kompensimeve me vendim të KE-së ka marrë 14 mijë e 560 euro e 20 cent.
Në total, Krasniqi gjatë vitit 2021 ka përfituar nga FFK-ja 20 mijë e 560 euro e 20 cent. Vjollca Krasniqi ka përfituar nga kompensimet 343 për qind më shumë se të hyrat e rregullta bazë.
AP merr vesh se këso kompensimesh të cilat dyshohen se janë të paligjshme, Krasniqi ka marrë edhe gjatë vitit 2020 dhe 2022.
Edhe këtu pagesa është bërë në dy llogari bankare të FFK-së në TEB Bank; Federata e Futbollit të Kosovës – FIFA Account:20-11-0001892452-94 dhe Federata e Futbollit: 20-11-0001864944-71.
Pjesë e kësaj skeme është edhe anëtari tjetër i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ismajl Ajeti. Në emër të pagesës së rregullt si anëtar i KE-së, Ajeti ka marrë në vitin 2021, 6 mijë euro, ndërsa pagesa shtesë, benificione në emër të kompensimeve dhe me vendim të KE-së ka përfituar 11 mijë e 836 euro e 75 cent.
Në total, gjatë vitit 2021, Ismajl Ajeti ka marrë 17 mijë e 786 euro e 75 cent.
Ajeti ka marrë kompensime shtesë në vitin 2021, 300 për qind më shumë se të hyrat e rregullta bazë.
Si edhe për të tjerët, AP merr vesh se këso përfitimesh ka pasur edhe gjatë viteve 2020 dhe 2022.
Historia me Ajetin nuk përfundon as këtu.
Gruaja e Ismajl Ajetit, Farije Ajeti, ishte punësuar në federatë si pastruese, por ajo përfundoi me përfitime prej dhjetëra mijëra eurosh.
Pra, Fahrije Ajeti, bashkëshortja e Ismajl Ajetit, në vitin 2021 në total ka marr 11 mijë e 836 euro e 61 cent, pagë dhe kompensime.
Krejt kjo me vendim të KE-së, prandaj dyshohet se një gjë e tillë përbënë konflikt interesi sepse Ismajl Ajeti si anëtar i KE-së ka votuar për t’i dhënë kompensim shtesë gruas së tij.
Gjithashtu nuk ka vendim për rritje të pagës së Fahrije Ajetit nga 500 e 84 euro e 15 cent sa ishte në janar 2021, në 2 mijë e 375 euro e 41 cent në muajin dhjetor 2021.
Emër tjetër në këtë listë që ka përfituar përgjatë vitit 2021 në këtë mënyrë është edhe anëtari tjetër i KE-së, Xhelal Broja.
Si pagesë të rregullt, Broja në vitin 2021 ka marrë 6 mijë euro, ndërsa pagesa shtesë në emër të kompensimeve e benificioneve me vendim të KE-së ka marrë 10 mijë e 905 euro e 58 cent.
Në total gjatë vitit 2021, ai ka përfituar 16 mijë e 905 euro e 58 cent.
Kompensimet dhe benificionet e marrura tejkalojnë për 312 për qind të hyrat e rregullta bazë.
Kësaj liste ku i janë ndarë para vetes i bashkohet edhe anëtari tjetër i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së,
Agim Dibrani. Sipas pagesës së rregullt ai ka marrë në vitin 2021, 8 mijë e 400 euro, ndërsa pagesa shtesë në emër të kompensimeve, benificioneve dhe kompensimeve me vendim të KE-së ka përfituar 10 mijë e 140 euro. Në total, përgjatë vitit 2021, Dibrani ka përfituar 18 mijë e 540 euro.
Po ashtu, Agim Dibranit i janë paguar 1 mijë e 600 euro për laurentët (16 veta nga 100 euro), që është në kundërshtim me ligjin pasi duhej të paguheshin drejtpërdrejtë dhe jo në llogari të nënkryetarit.
Edhe anëtari tjetër i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Agim Nura, është pjesë e kësaj skeme.
Sipas pagesës së rregullt si anëtar i KE-së, në vitin 2021, Nura i ka marrë 6 mijë euro, ndërsa pagesa shtesë në emër të kompensimeve, mëditjeve, benificioneve me vendim të KE-së ka marrë 9 mijë e 492 euro e 77 cent.
Në total, në vitin 2021, ai ka përfituar 14 mijë e 492 euro e 77 cent.
Edhe te Nura, AP merr vesh se përfitime të tilla ka pasur edhe gjatë vitit 2020 dhe 2022.
Situatë e njëjtë është edhe tek anëtari tjetër i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Predrag Joviç. Nga paga e rregullt, Joviç ka marrë 6 mijë euro në vitin 2021, ndërsa në emër të kompensimeve, benificione e pagesa me vendim të KE-së ka përfituar 6 mijë e 250 euro.
Në total, ai ka arkëtuar nga FFK-ja në vitin 2021, 12 mijë e 250 euro.
Naser Ajeti është emri tjetër që mban pozitën e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv e që ka përfituar para nga FFK në të njëjtën mënyrë si të lartcekurit.
Si pagesë të rregullt, përgjatë vitit 2021, edhe Ajeti ka marrë 6 mijë euro, ndërsa pagesa shtesë në emër të kompensimeve, benificioneve me vendim të KE-së ka përfituar 9 mijë e 130 euro.
Totali i shumë që ka marrë Ajeti në vitin 2021 është 15 mijë e 130 euro.
Në këtë listë është edhe anëtari tjetër i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Bakir Burri. Po ashtu, edhe ai pagesë të rregullt përgjatë vitit 2021 ka marrë 6 mijë euro, ndërsa pagesa shtesë në emër të kompensimeve, beneficioneve, kompensimeve me vendim të KE-së ka përfituar 7 mijë e 84 euro e 3 cent.
Totali që Burri e ka marrë nga FFK-ja në vitin 2021 është 13 mijë e 84 euro e 3 cent.
Rast i njëjtë është edhe te anëtari tjetër i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ilaz Mjaku.
Si pjesa më e madhe e kolegëve të tij, edhe ky kishte marrë në vitin 2021 si pagesë të rregullt 6 mijë euro, ndërsa pagesa shtesë, benificione në emër të kompensimeve (pa qenë në Kosovë, për shkak se kishte qenë i sëmurë dhe ishte duke u trajtuar jashtë vendit), me vendim të KE-së dhe forma të tjera ka marrë 11 mijë e 585 euro e 23 cent.
Në total, Mjakut FFK-ja ia ka alokuar 17 mijë e 585 euro e 23 cent.
Në të njëjtën mënyrë dhe formë ka përfituar edhe anëtari tjetër i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Mirsad Çollaku, por atij i janë publikuar në hulumtimin e parë të Albanian Post në lidhje me keqpërdorimet në FFK.
Para disa ditëve, AP fillimisht raportoi se si përmes një sistemi korruptiv të sofistikuar, Agim Ademi, kryetar i FFK-s, u ka shpërndarë para nga buxheti i FFK-së biznesmenëve të ndryshëm të lidhur me të, familjarëve të tij, pronarëve të klubeve, përfaqësuesve të tifozëve të Kosovës e analistëve të ndryshëm që mbrojnë Ademin dhe udhëheqjen e tij në FFK në studio televizive.
Përmes të dhënave bankare që ka siguruar Albanian Post, dëshmohet se dhjetëra njerëz të afërt me Agim Ademin, kanë fituar para kundërligjshëm nga Shtëpia e Futbollit të Kosovës.
Në artikullin e dytë për keqpërdorimet në FFK, AP ka raportuar për nepotizmin masiv që është bërë në Shtëpinë e Futbollit, e cila është shndërruar në një “çerdhe” ku punësohen gratë, djemtë e vajzat e zyrtarëve të lartë që punojnë aty.
Pas një hulumtimi të gjatë që ka bërë Albanian Post, ka kuptuar për disa nga emrat e familjarëve të zyrtarëve të FFK-së që janë sistemuar ndër vite.
Vazhdon…