“Der Standard”: Qasja gjermane ndaj Ballkanit, ndihma për Serbinë dhe presion mbi Kosovën

Gazeta prestigjioze austriake “Der Standard” ka shkruar për qasjen e perëndimit, konkretisht Gjermanisë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Der Standard” në artikullin e saj i kushton vëmendje qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

E përditshmja austriake thekson se politika e jashtme gjermane ndaj Ballkanit Perëndimor formulohet në zyrën e Kancelarit, veçanërisht nga Jens Plotner, këshilltari më i rëndësishëm për politikën e jashtme i kancelarit Olaf Scholz (SPD).

“Qasja e Gjermanisë është e orientuar qartë për t’i dalë në ndihmë Serbisë dhe për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, ndërsa Kosova, për shembull, është vënë nën presion nga diplomatët gjermanë. Kjo politikë udhëhiqet kryesisht nga administrata e SHBA-ve, dhe Gjermania vetëm e ndjek atë”, thuhet në artikullin e gazetës “Der Standard”.

Tutje kjo gazetë thekson se kjo u pa qartë kur i dërguari për Ballkanin Perëndimor i qeverisë gjermane, politikani i të Gjelbërve Manuel Sarrazin, njoftoi se Kosova mund të përjashtohet nga marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë CEFTA nëse nuk e heq ndalimin e importit për mallrat serbe.

“Sipas Sarrazin, BE-ja mund të përjashtojë gjithashtu Kosovën nga zona e përbashkët e pagesave me euro SEPA, që është veçanërisht e rëndësishme për dërgesat e diasporës”, thuhet më tej në artikull.

E përditshmja austriake potencon faktin që Kosova është nën sanksione të BE-së për shkak të vendimeve të marra nga Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti, e ndërkohë që Serbia është bërë partneri kryesor për Gjermaninë, ndonëse “milicitë serbe të lidhura me regjimin në Beograd kanë kryer sulm terrorist kundër shtetit të Kosovës, ku edhe ka mbetur i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku”

“Serbia nuk u mbajt asnjëherë përgjegjëse për këtë”, thekson e përditshmja austriake.

Aty përmendet edhe fakti që Gjermania dhe Franca, kanë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme ekonomike me qeverinë serbe.

“Ndërkohë, dy shtetet më të rëndësishme të BE-së, Gjermania dhe Franca, kanë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme ekonomike me qeverinë serbe. Gjermania dhe kompanitë e saj të automobilave, si Mercedes, mbështesin hapjen e një miniere litiumi në Serbinë Perëndimore, sepse ky mineral është i nevojshëm për bateritë e automjeteve elektrike. Franca, nga ana tjetër, i ka shitur Serbisë dymbëdhjetë avionë luftarakë Rafale”, shkruan Der Standard.