Maqedonci: Serbia, rrezik i përhershëm për Ballkanin Perëndimor
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, janë takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Letonisë, Baiba Braze, gjatë qëndrimit në Forumin e Sigurisë në Varshavë.
Sipas njoftimit të Maqedoncit në Facebook, gjatë takimit është diskutuar se si siguria në Evropë po ndikon edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Diskutuam rreth zhvillimeve rajonale dhe situatës së sigurisë në Evropë, sfidat e paraqitura si rezultat i agresionit rus mbi Ukrainën por dhe lidhjet e afërta që ky agresor ka me Serbinë, e që është rrezik i përhershëm për Ballkanin Perëndimor. Në këtë aspekt theksuam dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, bashkëpunimit në avancimin e interesave të përbashkëta dhe promovimin e vlerave që Kosova dhe Letonia ndajnë përballë rreziqeve nga sistemet autokratike”, ka shkruar ai.
Maqedonci tutje ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Letonisë ndaj Kosovës për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.