Ibrahimi: Qeveria padrejtësisht ndëshkon komunën e Vitisë, punonjësit mbesin pa paga

Disa prej punonjësve të komunës së Vitisë ende nuk u janë ekzekutuar pagat, situatë kjo që ka nxitur reagimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Sazan Ibrahimi, kryetar i këtij asociacioni, ka kritikuar ashpër qeverinë për mos përkrahjen buxhetore të komunave, duke theksuar se niveli qendror nuk po mbulon shpenzimet e kontratave kolektive, të cilat janë nënshkruar nga vetë qeveria.

“Qeveria padrejtësisht ndëshkon komunën e Vitisë,” ka deklaruar Ibrahimi për Telegrafin.

Ai ka shtuar se “me dhjetëra miliona euro po i merren komunave padrejtësisht nga buxhetet komunale,” duke theksuar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në ndalimin e projekteve kapitale që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ibrahimi ka bërë të ditur se ky problem është diskutuar në mënyrë të përsëritur me zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ministrin Hekuran Murati dhe ministren Arbërie Nagavci.

“Niveli qendror nuk po ka gatishmëri për zgjidhjen e këtij problemi,” ka thënë ai, duke shtuar se komunat po ndëshkohen pavarësisht përpjekjeve të tyre për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.

Sipas tij, pavarësisht kësaj bllokade nga niveli qendror, komunat do të vazhdojnë të punojnë për interesin e qytetarëve. “Qeveri, Reflekto sepse edhe ata punonjës janë qytetarë të Republikës së Kosovës, edhe pse jetojnë në Viti,” ka përfunduar Ibrahimi.