Korencia pas largimit nga LVV-ja: Ka gatishmëri që edhe deputetë të tjerë të na bashkohen

Deputeti, Visar Korenica, i cili sot iu bashkua koalicionit “Lista për Familjen”, të Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë, thotë se edhe deputetë të tjerë të LVV-së janë të gatshëm t’i bashkohen nismës.

Korencia tha se përveç Eman Rrahmanit, edhe deputetë të tjerë do të kenë reflektim pozitiv që të jenë pjesë e projektit.

“Po, ka gatishmëri, do të ketë gatishmëri dhe besoj që do të kemi edhe reflektim pozitiv të deputetëve, të cilët e shohin pjesë e këtij projekti që të na bashkohen në këtë rrugëtim. Është ftesë publike që të vijnë dhe të angazhohen dhe të japin kontribut aty ku e ndjejnë vetën në plotni”, tha ai në Tëvë1.

Ndërkohë, tregoi edhe planin e nismës, derisa potencoi që besojnë fuqishëm që në zgjedhjet e ardhshme do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

“Besoj fuqishëm që do të arrijmë të jemi prezentë në Kuvend ta përfaqësojmë grupin parlamentar, por besoj që do të tejkalohet edhe ky numër minimal. Kjo iniciativë veçse ka fillu me marrë hov. Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë grupet e interesit të përbashkët”, potencoi Korenica.

Sot, deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica janë larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, për t’iu bashkuar koalicionit Lista për Familjen, të Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë.