Me shumë vështirësi, Peja fiton ndaj Borës së sapo të promovuar
Me shumë vështirësi, Peja e ka mposhtur Borën në ndeshjen e xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll, të zhvilluar të martën mbrëma në Prishtinë. Ndeshja përfundoi me rezultatin 98:93 për ekipin pejan.
Peja ishte në epërsi gati deri në fund. Por lojtarët e Borës nuk u dorëzuan dhe ia dolën të barazojnë në 87:87, 2:28 minuta para fundit. Peja shënoi për 89:87, kurse më pas trajneri i Borës, Arben Krasniqi, mori gabim teknik pas reagimit për një faul që pretendoi se iu dha padrejtë skuadrës pejane.
1:29 minuta para fundit, Peja u shkëput 92:87. Por Ardarryl Clay Jr shënoi për tri pikë dhe ngushtoi rezultatin në 92:90. Peja humbi aksionin vijues, e në anën tjetër dy gjuajtje të lira i humbi Alex Aveion Lomax i skuadrës prishtinase. Sërish skuadra vendase mori gabim teknik dhe 50 sekonda para fundit Peja kaloi në epërsi 93:90.
21 sekonda para fundit, rezultati u ngushtua në 93:92, me ngulitjen e Jalen Graham.
Peja më pas realizoi një gjuajtje të lirë me Shahada Wells. Bora i kishte 14 sekonda për aksionin e fundit, por nuk e ndërtoi mirë atë. E humbi topin në pasim dhe kështu sfida u mbyll.
Në fund u shkëmbyen gjuajtje të lira dhe Peja fitoi me pesë pikë dallim.
Darnell Cowart udhëhoqi Pejën me 25 pikë e tetë kërcime. Musab Mala, Jasques Yow e Shahada Wells i kishin nga 15 pikë.
Te Bora më i miri ishte Alex Aveion Lomax me 10 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë asistime.
Ardarryl Clay Jr i kishte 20 pikë.
Bora e pësoi humbjen e tretë, por është çështje koha para se ta fitojë ndeshjen e parë në Superligë. Peja e shënoi fitoren e parë. Në xhiron e parë pësoi nga Vëllaznimi, ndërsa ndeshjen e xhiros së dytë nuk e ka zhvilluar ende.