ZRRE: Mos u shqetësoni, s’ka shtrenjtim të faturave të energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit për Energji, ka thënë se ,nuk ka hapësirë shqetësimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

ZRRE-ja këtë e ka thënë në një sqarim që ka lëshuar pas raportimeve në disa media se do të shtrenjtohen faturat e energjisë elektrike, transmeton Zeri.info.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është e përkushtuar në informimin e drejtë të opinionit publik, andaj lidhur me lajmet që kanë qarkulluar në portale të ndryshme që kanë të bëjnë me paralajmërimin për shtrenjtim të energjisë elektrike, e njofton opinionin publik se sipas legjislacionit në fuqi, shqyrtimi i të hyrave të lejuara dhe tarifave për ndërmarrjet e rregulluara fillon në fund të vitit 2024 dhe zgjat deri më 31 mars 2025, rrjedhimisht nuk ka hapësirë shqetësimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike”, thuhet në sqarimin e ZRRE-së.

Andaj, ZRRE thotë se kurdo që vlerësimi i shqyrtimit të procesit tarifor të jetë i gatshëm, opinioni publik do të jetë i njoftuar me kohë.

Për më shumë, ZRRE ju njofton se pritet të kemi furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, bazuar në realizimin e remonteve të planifikuara të njësive gjeneruese termike, si dhe në prodhimin e energjisë elektrike nga Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe një sasie të energjisë elektrike të importuar. /Zëri