Vitia: Gjysma e rasteve me kancer të gjirit po diagnostikohen në stadet e hershme
Ministria e Shëndetësisë, me rastin e Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese me moton “Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se kontrollet e shpeshta në rast të ndryshimeve dhe mamografia janë shumë të rëndësishme për parandalimin dhe shërimin e kësaj sëmundjeje.
Ai ka thënë se në dy vjetët e fundit mbi 50 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit kanë qenë në stadin e parë ose të dytë. Kjo sipas tij tregon vetëdijesimin te gratë dhe rrit mundësitë për një trajtim të suksesshëm.
“Vetë kontrollet e shpeshta në rast të ndryshimeve dhe mamografia janë shumë të rëndësishme për parandalimin dhe shërimin e kancerit të gjirit. Vitin e kaluar për herë të parë filluam me shërbimin e mamografisë mobile në komunat veriore. Jemi duke punuar edhe në decentralizmin e onkologjisë në vende të tjera. Lista e barnave esenciale është zgjeruar tani në 60 milionë euro, vetëm në onkologji janë 5 milion euro. Operacionet për rikonstruktimin e gjirit ofrohen falas në shëndetësinë publike. Inkurajoj të gjitha gratë edhe burrat që të konsultohen vazhdimisht me mjekun e tyre. Pjesa thelbësore mbetet ndërgjegjësimi dhe vetë kontrolli. Është lajm shumë i mirë se gjatë dy vjetëve të fundit kemi pasur rritje në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, mbi 50 për qind e grave të diagnostikuara me këtë sëmundje janë në stadin e parë dhe dytë, gjë që tregon vetëdijesimin te gratë por rritë edhe mundësitë për trajtim të suksesshëm”, ka thënë ai.
Një nga të mbijetuarat e kancerit të gjirit, njëherësh drejtoreshë e qendrës kosovare për luftimin e kancerit të gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi, ka thënë se sot në Kosovë gratë e kanë të mundshme diagnostikimin dhe trajtimin e kompletuar të kancerit të gjirit.
“Sfida ime me kancer të gjirit filloi para 20 vjetësh. Ishte rrëfimi i parë publik sepse tema ishte tabu, ishte rrëfimi me qëllim vetëdijesimin dhe informimin për sëmundjen dhe nevojën e kontrollit. Sot nëpër këto sfida kalojnë çdo vit rreth 450 gra me raste të reja. Por këto gra kanë fat, sepse sot në Kosovë është i mundshëm diagnostikimi dhe trajtimi i kompletuar i kancerit të gjirit, edhe pse ka nevojë ende për përmirësim të kushteve”, ka thënë ajo.
Edhe drejtoresha e Radiologjisë në QKUK, Shkëndije Nuza, ka thënë se është shumë i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm i kësaj sëmundjeje. Ajo ka theksuar se kanceri i gjirit mund t’i prekë edhe burrat, jo vetëm gratë.
“Kanceri i gjirit prek jo vetëm gratë, që është një në 8 gra që sulmohen nga kanceri i gjirit, por është sëmundje që prek edhe gjininë mashkullore. Detektimi i hershëm i kancerit shpëton jetë. Ne duhet gjithmonë t’i kushtojmë një rëndësi të madhe atyre që janë prekur”, ka thënë ajo. /EO