Gërvalla në Gjermani, do të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Procesit të Berlinit

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, këtë të martë në Berlin do të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Bëhet e ditur se në këtë takim Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Kosovës në raport me Procesin e Berlinit dhe integrimin evropian të vendit.

“Pas pjesëmarrjes në Konferencën e djeshme të Koalicionit Global kundër DAESH/ISIS, me ftesë të sekretarit Blinken, i mbajtur në Uashington, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Berlin, ku do të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme, në kuadër të Procesit të Berlinit”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Gjatë ditës për në Berlin ka udhëtuar edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani, e cila do të takohet me homologun e saj gjerman, Frank Walter-Steinmeier.