Shujtat për ushtarët e FSK-së, ky është reagimi i kompanisë pas problemeve me kontratë

Kompania “Beni Dona”, e cila ka pasur kontratë deri të hënën për përgatitjen e ushqimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka reaguar përmes një njoftimi për media, pas lajmeve se FSK-ja ka mbetur pa shujtat e ushqimit.

Një ditë më parë u raportua se pas skadimit të kontratës duhet improvizim, duke angazhuar punëtorët e Mensës së Studentëve të udhëtojnë në kazerma për t’ua përgatitur ushqimin ushtarakëve.

Në njoftimin e kësaj kompanie thuhet se kompania i ka dërguar të hënën FSK-së letër zotimi, përmes së cilës kanë shprehur gatishmërinë për mbështetje të stafit të FSK-së për përgatitjen e ushqimit sipas kërkesës së tyre edhe pas skadimit të kontratës, e cila ka përfunduar më 30.09.2024.

Kompania thekson tutje se nuk kanë pranuar asnjë përgjigje dhe pavarësisht nga kjo, kanë ndërmarrë masa.

“Sot kemi pranuar disa informacione se në disa kuzhina është lejuar hyrja e punëtorëve tanë, ndërsa në disa të tjera nuk është lejuar hyrja, për arsyet të cilat ne nuk i dimë. Po ashtu edhe mallin tonë (artikujt ushqimorë), pajisjet e punës, si dhe inventarin tonë, e kemi lënë në dispozicion të tyre edhe për disa ditë si ata të vendosin, si dhe stafin i cili do të jetë vetëm në cilësi të mbështetjes, këshillimit dhe përgatitjes së ushqimit. Për fund ju njoftomë se ne sot, më datë 01.10.2024, kemi bërë mbështetjen e të gjitha kuzhinave të FSK-së në tërë territorin e Republikës së Kosovës me stafin tonë siç kemi bërë edhe herëve të tjera kur ka qenë e nevojshme ose na është kërkuar një gjë e tillë, dhe atë e kemi bërë pa kurrfarë kompensimi material”, thuhet në njoftim. /Zëri