Kurti në takimet me mërgatën: SHBA-ja është në zemër të sukseseve të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qëndrimi i tij në SHBA shkoi përtej takimeve bilaterale me vende mike e partnere, duke përmendurkështu edhe organizimet me mërgatën atje.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se SHBA-ja është në zemër të sukseseve të Kosovës, duke bërë kështu të ditur edhe detaje nga takimi me mërgatën.

" Me mërgatën u mblodhën për të bashkëbiseduar për të tashmen e të ardhmen e Kosovës, dhe duke ndarë eksperiencat e përbashkëta", ka shkruar Kurti, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkoi përtej takimeve bilaterale me vende mike e partnere. Mërgata e gjerë shqiptare atje, na mirëpriti në New Jersey dhe në Waterbury të Connecticut, në organizime madhështore, të mbushura me atmosferë festive e kombëtare, ku u mblodhëm për të bashkëbiseduar për të tashmen e të ardhmen e Kosovës dhe ndarë eksperiencat e përbashkëta.

Kosova është histori e dyfishtë suksesi: i intervenimit të NATO-s që e ndali gjenocidin e Serbisë si dhe rritjes ekonomike të kombinuar me progres demokratik. Për të dy këto rrëfime të suksesit, në zemër të tyre i kemi ShBA-të, që janë aleati, miku dhe partneri ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm, edhe për çlirim e pavarësim, por edhe për zhvillim e demokratizim, e me të cilët ne gjithnjë ndajmë vlera, interesa, parime dhe qëllime të përbashkëta. E diaspora jonë, luan një rol fort të rëndësishëm, si pikëlidhje e fuqishme dhe bosht kryesor i marrëdhënieve me ShBA-të.

Mirënjohje për Kryetarin e Qytetit të Waterbury Paul K. Pernerewski Jr., nga i cili pata nderin edhe të pranoj Çelësin e Qytetit, si dhe për Senatorin amerikan Richard Blumenthal, për fjalët e tij sa të fuqishme aq edhe përkrahëse mbi përkushtimin e ShBA-ve ndaj Kosovës dhe mbështetjen e pareshtur, e prezencën e ambasadorit e mikut të përjetshëm të popullit tonë liridashës, William Walker.

Bashkë me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, zëvendësen e saj Liza Gashi, dhe Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, Blerim Reka, falënderuam përzemërsisht Qendrat Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Struga” dhe "Hasan Prishtina", që na mblodhën me njëri-tjetrin, për të kaluar momente të paharrueshme.