Çmimet e edicionit të 22-të të Tirana International Film Festival

Edicioni i 22-të i Tirana International Film Festival i solli kryeqytetit nga data 22-28 shtator shumë prej filmave më të rinj të prodhuar anembanë globit. Mbi 200 filma u shfaqën në disa prej kinemave të Tiranës, një pjesë e madhe e të cilëve premiera kombëtare e botërore.

Në një ceremoni emocionuese, çmimi “Bufi i artë” iu dha regjisorit Mika Gustafson për filmin e tij “Paradise is burning”, një bashkëprodhim suedez, danez, finlandez e italian prej 108 minutash.

Në motivacionin për çmimin thuhej: “U mahnitëm duke ndjekur personazhet e këtij filmi. Regjia e tij na udhëhoqi me mjeshtëri në çdo kthesë emocionale, duke zbuluar nuancat delikate të tyre, shpirtra të plagosur teksa kërkonin identitetin, mbijetesën, gëzimin dhe vullnetin e tyre për të jetuar.”

Nga seksioni PerspecTIFF u zgjodh filmi “Goodbye Julia” nga Mohamed Kordofani, i cili eksploron në thellësi ndjenjat njerëzore duke na mësuar si të tejkalojmë urrejtjen dhe intolerancën, duke arritur tek paqja me vetveten. “Goodbye Julia” është një film nga Sudani.

Çmimin për regjinë më të mirë e mori Dorka Vermes nga Hungaria, ndërsa skenari më i mirë i festivalit u shpall ai i Isa Qoses, i cili u prezantua në TIFF me “Lejlekun”.

Filmi më i mirë i shkurtër për të cilin TIFF ka të drejtën ta kualifikojë për konkurrim në çmimet Oscar, u shpall “Dreams like paper boats”, i regjisorit Samuel Suffren nga Haiti.

Ndërsa çmimi BEST EUROPEAN SHORT FILM u shpall “On the way” nga Samir Karadoha, një prodhim kosovar prej 15 minutash. Me këtë fitore, filmi arrin të kualifikohet për të qenë kandidat në European Film Awards 2024.

Çmimi i audiencës shkoi për filmin “Parthenope”, me regji nga italiani Paolo Sorrentino. “Parthenope” është një film dramë /fantazi i vitit 2024, shkruar, prodhuar dhe drejtuar nga Paolo Sorrentino. Një bashkëprodhim ndërkombëtar midis Italisë dhe Francës, në film luajnë Celeste Dalla Porta, Stefania Sandrelli, Gary Oldman, Silvio Orlando, Luisa Ranieri, Peppe Lanzetta dhe Isabella Ferrari.

“Parthenope” u zgjodh për të konkurruar për Palmën e Artë në Festivalin e 77-të të Filmit në Kanë, ku u shfaq premierë më 21 maj 2024. Është planifikuar të dalë në kinema në Itali nga PiperFilm më 24 tetor 2024.

Çmimi i audiencës u dha nga Drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare Valbona Zhupa pasi falenderoi organizatorët për vlerësimin tha gjatë të tjerave: “E kam njohur TIFF që në ditët e para të jetës së tij, dhe sot jam krenare që ky festival është kthyer absolutisht në një prej destinacioneve artistikë më prestigjiozë të kryeqytetit”.

Ashtu si edhe në edicione të tjera, TIFF u mbështet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, e cila prej vitesh është partner mediatik i tij.

Lexuesit e ATSH-së brenda dhe jashtë vendit kanë ndjekur përgjatë gjithë javës së TIFF të rejat, intervistat me regjizorët e njohur siç ishte ajo me regjizorin, skenaristin dhe kompozitorin Mike Figgis, pjesë e TIFF Master Class, programet ditore dhe informacionet mbi premierat dhe pjesëmarrësit në festival edhe në dy gjuhë të huaja anglisht dhe frengjisht, duke u bërë një promotor informativ shumë i rëndësishwm i këtij eventi fantastik që mbledh në kryeqytet çdo vjeshtë kienastë nga e gjithë bota.

Tirana International Film Festival është një festival indipendent, prej të cilit promovohen filma jo komercialë, të cilët ndryshe do ta kishin të vështirë të çanin tregun e kinemasë e distribucionit. /atsh