Dëshmitari Rrahmanaj ankohet për trajtimin që i është bërë në Hagë

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Ahmet Rrahmanaj kërkoi t’i ndahet kohë që të flasë lidhur me procesin, si dhe trajtimin që i është bërë atij në Hagë, në mënyrë që ta paraqesë si shqetësim çështjen e trajtimit.

“Kam dëshirën që një prej kohëve të ndahet që ta them fjalën time edhe për këtë proces e në veçanti të them fjalën time për trajtimin tim këtu. Kam një ankesë dhe kërkoj prej kohës që të ma ndani që të paraqes shqetësimin tim”, tha dëshmitari.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha dëshmitarit Rrahmanaj se do t’i jepet hapësira e nevojshme pas pyetjeve të palëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se ai ka qenë ushtar i thjeshtë dhe se në kohën sa ishte pjesë e UÇK-së nuk e dinte që kishte një Shtab të Përgjithshëm. Tha se në shtator të vitit 1998 ishte larguar nga Kosova për në Slloveni deri në korrik të vitit 1999.

Dëshmitari Rrahmanaj tha se prej vitit 1991-’92 kanë filluar që të bëjnë kujdestari të fshatit e po ashtu secili fshat ishin mobilizuar për luftë dhe mbrojtje të familjeve të tyre. Tha se gjatë periudhës së prillit të vitit 1998 nuk kanë pasur hierarki.

“Derisa ishim të vetorganizuar, atëherë nuk kishim përgjegjësi për t’i raportuar dikujt më lartë. Ne ishim ata që kishim bashkëpunu me njëri-tjetrin dhe vendosshim ne si individë. Kjo është e saktë”, tha Rrahmanaj.

Ai pohoi se nuk ka pasur komunikim me fshatrat e tjera, se kanë qenë vullnetarë dhe se nuk i kanë raportuar askujt për veprimet e tyre.

Rrahmanaj pohoi se pjesë e Policisë Ushtarake ishte bërë në qershor të vitit 1998 dhe se udhëheqës ishte Jakup Hoti pasi sipas tij, ai ishte më i përgatitur dhe më në moshë.

Dëshmitari tha se Hoti nuk ka qenë i obliguar që të raportojë diku dhe se raportimet janë bërë vetëm mes atij, Hotit dhe personit tjetër që ishin pjesë e Policisë Ushtarake në Zonën e Malishevës.

Ndërsa, për rastet e kolaboracionistëve të cilësuar nga UÇK-ja që foli sot në Hagë, Rrahmanaj tha se vetëm i kishte dëgjuar pasi kishin ndodhur kur ishte larguar nga Kosova.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të viktimave, avokatit Simon Laws, dëshmitari tha se Malisheva sipas mendimit të tij ka qenë vend i sigurt për serbë civilë, ndërsa për forcat serbe jo.

Rrahmanaj theksoi se nuk ka dijeni që disa burra serbë që i kanë dërguar në Malishevë dhe i kanë vrarë pasi i kanë larguar nga atje.

“Këtë nga ZPS-ja e kam dëgju. Kurrë më parë”, tha dëshmitari, duke shtuar se nuk e ka ditur që ata kanë qëndruar por që janë gjetur trupa është në dijeni.

“S’kisha dëgjuar ndonjëherë që këta burra janë mbajtur në Malishevë. Për pjesën që gjenden kam dëgjuar përmes mediave dhe aty kam kuptuar që janë gjetë viktima serbe të vrarë. Nga kanë ardhë nuk e di”, tha dëshmitari.

Rrahmanaj u pyet se a e kishte pyetur Jakup Hotin, Haxhi Shalën ose Isni Kilajn se a janë mbajtur burra serbë në Malishevë, të cilët më pas janë vrarë.

“Haxhi Shalën nuk kam pas rastin ta pyeti për shkak se kemi pas dallime edhe në luftë edhe në politikë. S’kam pas rast”, tha dëshmitari, duke shtuar se as Jakup Hotin nuk e ka pyetur.

Dëshmitari tha se Isni Kilajn e kishte deri diku shok për shkak që sipas tij politika i ka ndarë. Tha se nuk është në etikën e tij që të pyes dhe të marrë informata për sipas tij “gjëna koti” dhe gjëra që atij s’i përkasin.