Mediat zvicerane e konfirmojnë: Amir Saipi vendos ta përfaqësojë Kosovën
Mediat zvicerane kanë konfirmuar se portieri shqiptar Amir Saipi ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën dhe jo Zvicrën.
Këtë e ka bërë të ditur më saktësisht mediumi Corriere Del Ticino, i cili kanë konfirmuar se numri një i gjigantit zviceran Lugano ka vendosur ta veshë fanellën e Dardanëve.
24-vjeçari për shumë kohë kishte qenë zgjedhja e parë e portës për grup-moshat U21 të Zvicrës, teksa edhe përzgjedhësi Murat Yakin e kishte ftuar disa herë te Kombëtarja A.
Saipi, i lindur në Schaffhausen ka pasaportë të dyfishtë, por që shkaku i konkurrencës së madhe te Zvicra nuk ia doli të gjejë hapësirat e nevojshme.
Duke marrë parasysh përvojën që ka Saipi në kampionatin zviceran si dhe falë paraqitjeve me Zvicrën, do të jetë një përforcim tejet i madh për Kosovën dhe do ta rrisë si kualitetin, ashtu edhe konkurrencën.
Përndryshe, Kosova do t’i luajë dy ndeshje gjatë muajit tetor, ndaj Lituanisë në udhëtim dhe ndaj Qipros në "Fadil Vokrri" në kuadër të Ligës së Kombeve.
Deri atëherë mbetet të shihet se a do të ketë zhvillime të reja, por që sipas raportimeve nga Zvicra, kjo punë tashmë mund të konsiderohet si e kryer. /Telegrafi