Anulimi i kontratave në vepër, PDK-ja në Gjilan: Abuzim i rëndë në buxhetin e Komunës

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, pas qasjes së siguruar në dokumente zyrtare nga kjo parti, ka reaguar për pagesat ndaj punëtorëve të Komunës së Gjilanit, të cilët janë me kontrata në vepër.

PDK-ja këtë e cilëson si abuzim të rëndë në buxhetin e Komunës, duke theksuar se në qeverisjen aktuale lokale janë të punësuar 86 zyrtarë me kontrata në vepër, që sipas tyre kjo është e ndaluar me ligj.

Sipas PDK-së, vetëm në zyrën e kryetarit janë të punësuar 22 persona me kontrata në vepër, të cilët sipas kësaj partie paguhen deri në 830 euro, në krahasim me punëtorët e partive të tjera.

“Zyrtarët që janë puro me LVV-në, kryetari i Gjilanit ua ka bërë kontratën në vepër me pagë mujore prej 690 deri 830 euro. Zyrtarët e punësuar që janë ‘medium light’ me LVV-në, me pagë mujore prej 500-600. Ndërsa zyrtarët e punësuar që nuk janë në LVV (nga partitë e vogla si AKR, KDTP), i ka bërë kontrata me pagë mujore prej 350 deri 407 euro”, thuhet në komunikatën e tyre.

Kjo parti e cilëson se këto shkelje janë bërë në vazhdimësi nga ana e kryetarit të Gjilanit, derisa sipas tyre, janë mbi 1 milion euro buxhet të shpenzuara për punësime me kontrata të jashtëligjshme.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Gjilanit ka dorëzuar vendimin për anulimin e 84 kontratave në vepër.