Vështirësitë e përkthimit në gjykata, KGJK-ja e shqetësuar për mungesë aplikantësh

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen të mbajtur të shtunën ka miratuar rekomandimet e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ka thënë se në takimin me Asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave janë diskutuar tri çështje.

Sipas tij, e para ka të bëjë me shkatërrimin dhe asgjësimin e mjeteve të konfiskuara, në të cilën tha se është vendosur të diskutohet bashkërisht me kryeprokurorët, për praktikat dhe prioritet mbi çështjet e sekuestrimit dhe konfiskimit.

Pika e dytë, sipas Zogajt, ka qenë plani i veprimit për drejtuesin procedural për degën në Fushë-Kosovë. Dhe pika e tretë ka qenë vështirësitë lidhur më çështjen e përkthimit në gjykata.

Zogaj tha se është shtruar nevoja e një reagimi me urgjencë nga ana e sistemit gjyqësor për këtë çështje, për shkak se problematikat janë seriozë dhe se gjasat janë se nëse nuk ka veprim do të “kemi thellim të krizës për përkthim”.

Ai tha se tani mbetet detyrë e KGJK-së dhe KPK-së për organizim te takimit për këtë çështje, ku u dha edhe propozimi që çështjet e përkthimit të barten te Komisioni i administrimit të gjykatave dhe Sekretariatit.

“Takimi është mbajt me rekomandime, kemi disa çështje. Pika 1 e rekomandimit ka qenë praktika gjyqësor për shitjen e aseteve dhe jepen në shfrytëzim apo shkatërrim në rastet e sekuestrimit dhe konfiskimit. Dhe si konkludim i këtij takimi është të shikohet mundësi e dakordimit e asamblenë së gjykatave me kryeprokurorët e të gjithë prokurorive, ku do të marrin pjesë edhe kryesuesit e dy këshillave për të diskutuar praktikat dhe prioritet mbi çështjet e sekuestrimit dhe konfiskimit. Pika e dyte ka qenë plani i veprimit për drejtuesi procedurale për degën në Fushë-Kosovë dhe është miratu”.

“Çështja tretë ka qenë vështirësitë lidhur më çështjen e përkthimit në gjykata. Është shtruar nevoja e një reagimi me urgjencë nga ana e sistemit gjyqësor për këtë çështje, për shkak se problematikat janë seriozë dhe gjasat janë se nëse nuk kemi veprim nga KGJK-ja do të kemi thellim të krizës për përkthim. Duke pasur parasysh faktin që ka pasur mungesë të aplikantëve për disa pozita në Gjykata, rekomandimet e asamblesë janë që të bëhen vlerësimet potencialisht për uljen e kritereve të kualifikimeve të kandidatëve për përkthyes në gjykata, që të jetë pozitë e cila nuk e krijon situatën kur përkthyesit ikin dhe shkojnë një në institucion tjetër. Është kërkuar nga sekretariati që të bëhet një raportim për tre mujorin që të shkohet sa është mbulesa e kësaj materie”, tha ai.

Po ashtu në këtë takim u miratua draft Rregullorja për Procedurën Disiplinore për Nivelin Drejtues i Lartë 1, Administrator dhe zëvendësadministrator në Administratën e Sistemit Gjyqësor, si dhe Draftrregullorja për procedurën e përzgjedhjes dhe emërimin e drejtorit të Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa. /Eo