Invalidët e UÇK-së lirohen nga pagesa e “Trafikut Urban”

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që invalidët e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Komuna e Prishtinës të lirohen nga pagesa e “Trafikut Urban”.

Sipas vendimit që është nënshkruar nga kryetari Përparim Rama, lirimi nga pagesa do të bëhet nga data 01.10.2024.

“Obligohen organet drejtuese të NPL ‘Trafiku Urban’ SHA që në bashkëpunim me Shoqatën e Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega Prishtinë, t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Në arsyetim thuhet se vendimi “nxirret sipas kërkesës së Shoqatës së Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega Prishtinë, si mbështetje institucionale për këtë kategori të lartësuar të luftës tonë çlirimtare”.