Lazim Destani mesazh Beogradit nga Presheva: Nëse nuk ndihmoni shqiptarët e Luginës, mos i pengoni

Dy ditë rresht në Preshevë është mbajtur për të dytën herë konferenca ekonomike e organizuar nga shoqata “Unioni i Afaristëve Vizioni – Preshevë, Medvegjë, Bujanoc” me moton “Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës”, ku morën pjesë mbi 300 pjesëmarrës kryesisht biznesmen dhe afaristë jo vetëm nga Lugina dhe viset tjera shqiptare në Ballkan, por edhe nga Zvicra, vendet e BE-së deri në Australinë e largët deri në Turqi.

“U ndjeva i nderuar me pjesëmarrjen në këtë ngjarje që tashmë i ka vënë themelet për të qenë një event tradicional për gjallërimin e jetës ekonomike në Luginë. Ky aktivitet organizohet nga shoqata ‘Unioni i Afaristëve Vizioni – Preshevë, Medvegjë, Bujanoc’, të drejtuar nga Xhelal Memeti, ndërsa konferenca e sivjetme shënoi dhe një-vjetorin e themelimit të shoqatës”.

Një numër i madh afaristësh të ardhur nga shtetet e ndryshme, diplomatë, institucione, rrjete dhe shumë personalitete të njohura diskutuan alternativat dhe mundësit se si mund të kontribuojmë në ekonominë dhe zhvillimin e vendit.

Këtë konferencë e madhështoi edhe më prezenca e ambasadoreve dhe biznesmenëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriut dhe diaspora, sidomos prania e filantropit, humanistit dhe biznesmenit të njohur tashmë ndërkombëtar Lazim Destani, i cli në kuadër të këtij eventi takoi deputetin shqiptar në Beograd Shaip Kamberi dhe kryetaren e Komunës së Preshevës Ardita Sinani.

Krahas pjesëmarrjes së mbi 300 pjesmarrësve, kryesisht bizneseve nga trojet tona e nga diaspora, këtu ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Odave Ekonomike të trojeve tona si dhe autoritete lokale të Luginës.

Filantropi Lazim Destani nderoi me pjesëmarrjen e tij Konferencën e dytë të bizneseve me moton “Ekonomia shpëton Luginën” organizuar në Preshevë nga Unioni Afaristeve “Vizioni Pmb” me kryetar Xhelal Mehmedi.

Kjo ngjarje ishte një mundësi shumë e mirë ku bizneset nga diaspora, por edhe ato nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, të njihen me prodhuesit e Luginës e të ngrenë bashkëpunim mes vete.

Në një intervistë dhënë gazetës zvicerane Le Canton27.ch filantropi Lazim Destani për praninë dhe fjalimin e tij ka thënë se: “Për dallim nga viti i kaluar, kjo konferencë ishte më e mirë për nga organizimi, por edhe nga numri i pjesëmarrësve ku kishte përfaqësues nga gjitha viset tona shqiptare si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut, por dhe nga diaspora shqiptare nga Zvicra, nga Gjermania..e deri tek Australia e largët”.