PD mbledh Këshillin Kombëtar, Berisha: Me arrestimin e Salianjit, Rama na shpalli luftë

Dënimi me 1 vit burg i deputetit Ervin Salianji është bërë tema qendrore e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Në nisje të mbledhjes emergjente, kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se ky vendim cenon demokracinë, pluralizmin dhe sovranitetin e kombit shqiptar.

Sipas Berishës, karriera politike e Salianjit është karakterizuar nga qëndrimet e tij opozitare ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Ai fajësoi ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për dënimin dhe burgosjen e Salianjit.

“Dy ditë më parë, një deputet i opozitës, guximtar, Ervin Salianji, u dënua me burg. Ai u burgos sepse guxoi të denoncojë publikisht vëllazërinë më të rrezikshme të mafies së drogës në atë kohë, vëllazërinë Xhafaj”, theksoi Berisha.

Ish-kryeministri shtoi se vendosja pas hekurave e një deputeti demokrat është një akt i pastër terrori politik nga qeveria e Edi Ramës dhe shënon shpalljen e luftës ndaj opozitës.

“Me burgosjen e Salianjit për denoncimin e tij guximtar, Edi Rama nisi fushatën e hakmarrjes dhe terrorit ndaj opozitës dhe shqiptarëve”, përfundoi Berisha.