Kryeministri serb: Beogradi s’duhet të pranojë që Banjska të përkufizohet sipas asaj se si e sheh Prishtina ngjarjen

Kryeministri serb Millosh Vuçeviq tha sot se Banjska nuk duhej të ndodhte, por se Serbia nuk duhet të pranojë narrativën se Banjska përcaktohet nga mënyra se si e sheh Prishtina atë ngjarje.

Vuçeviq tha se Banjska nuk ndodhi vetvetiu, por ishte një reagim ndaj një sërë lëvizjesh të qeverisë së Kosovës, nga ‘arrestimet deri te plagosja dhe rrahja e serbëve’.

“Nuk ishte koha kur në Kosovë lulëzon demokracia dhe të drejtat e njeriut dhe të pakicave, kështu që dikush reagoi dhe bëri atë që ndodhi” në Banjska, tha kryeministri për TV Prva.

Ai pretendon se autoritetet në Prishtinë nuk po i lejojnë që familjet e serbëve të vrarë në Banjkë të shënojnë vendin ku janë vrarë.

“Duket se na vjen turp të themi se aty janë vrarë tre serbë. Duhet të kërkojmë falje për Banjskën, por ata vranë tre serbë. Dhe duke e bërë këtë, më parë plagosën, arrestuan dhe rrahën dhjetëra serbë”, tha kryeministri i Serbisë.