Pas rimatjeve, pesha e drogës që u kap dje në Pejë shkon në mbi 2 ton

Prokuroria Themelore në Pejë dje njoftoi për një aksion të madh në rajonin e Pejës, ku tha se u kap 1 ton drogë.

Mirëpo, pas zhvillimeve të punës në terren edhe sot në Pejë nga policia dhe Prokuroria Themelore, Klan Kosova merr vesh që sasia e kanabisit të gjetur ka arritur në më shumë se 2 ton.

Rrjedhimisht, vlera e kësaj sasie dyshohet se e ka kaluar shifrën prej 10 milionë euro, njofton Klankosova.tv, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar.

Sipas njoftimit të djeshëm të Prokurorisë, vlera e drogës prej 1 ton llogaritej të ishte rreth 5 milionë euro.

Për këtë rast, policia ka arrestuar një person, shtetas i Shqipërisë, të cilit sot Gjykata e Pejës ia caktoi një muaj paraburgim. /klankosova