“Njëri nga më të mirë në histori”, legjenda spanjolle me pretendime të mëdha për Lamine Yamal
Lamine Yamal ka marrë shumë lavdërime që kur bëri debutimin e tij me Barcelonën në prill të vitit 2023. Sensacioni 17-vjeçar vazhdon të ecë me hapa të mëdhenj dhe tashmë, ai konsiderohet të jetë një lojtar i klasit botëror.
Ikona e Spanjës, David Silva është një nga të shumtët që po mahnitet nga loja dhe talenti i Lamine Yamal.
Siç tha ai për Diario AS, Silva ka shpresa shumë të mëdha për anësorin adoleshent, megjithëse ai e kupton gjithashtu se do të jetë e ndërlikuar të ruhet – madje edhe të tejkalohet – niveli që ai po tregon aktualisht.
“Ai nuk i ngjan askujt sot. Ai është një futbollist shumë i ri dhe megjithatë luan me vetëbesim të jashtëzakonshëm”, ka thënë fillimisht Silva.
“Le të shpresojmë që të vazhdojë kështu, sepse ai ka potencialin të jetë një nga më të mirët në histori, edhe pse tashmë e dimë që ruajtja e atij niveli është e komplikuar. Por, ai ka talent dhe cilësi të jashtëzakonshme”.
Silva gjithashtu tha fjalën e tij për kombëtaren spanjolle, pas suksesit të tyre në Euro 2024 në verë. Besimi i tij është se ata janë më se të aftë për të pasur një brez tjetër të artë, si ai ku bënte pjesë edhe vetë 38-vjeçari.
“Ata patën një kampionat evropian fantastik. Me futboll të mirë, ndeshje dominuese… Na dhanë gëzim të jashtëzakonshëm. E merituan ta fitonin nga ndeshja e parë deri në të fundit. De la Fuente ka krijuar një grup të madh njerëzor, i cili është çelësi për arritjen e suksesit, me shumë të rinj, por edhe me veteranë të nevojshëm”, përfundoi ish-ylli spanjoll. /Telegrafi