Stuhia u dëmtoi kafazin, 37-vjeçari detyrohet të vrasë mbi 100 krokodilë
Një mbarështues krokodilësh në Tajlandë u detyrua që të vriste mbi 100 nga këta zvarranikë që rrezikojnë zhdukjen. Masën drastike, “Crocodile X” u detyrua ta merrte pasi një tajfun dëmtoi rrethimin e zonës ku qëndronin zvarranikët.
Natthapak Khumkad, i cili drejton një fermë krokodilësh në Lamphun, Tajlanda veriore, tha se u përpoq shumë që të gjente një shtëpi të re për krokodilët ë tij pasi zbuloi se zona e rrethuar ku ata qëndronin kishte rrezik që të shembej e gjitha.
Por, asnjë hapësirë nuk ishte mjaftueshme sa për të strehuar krokodilët, disa prej të cilëve ishin deri në 4 metra të gjatë.
Kështu, për të mos lejuar që krokodilët të lëviznin të lirë në zonat e banuara përreth, Natthapak u detyrua që 125 prej tyre t’i vriste më 22 shtator.
“Mu desh të merrja vendimin më të vështirë të jetës sime dhe t’i vrisja të gjithë,” tha ai për CNN, përcjell A2.
“E diskutuam me familjen se nëse muri binte, dëmi në jetët e njerëzve do të ishte shumë më i madh, nga sa mund ta kontrollonim ne. Do të vinim në rrezik jetët e njerëzve dhe sigurinë publike.”
Tajfuni Yagi, stuhia më e fuqishme e Azisë për këtë vit, përfshiu Kinën jugore dhe Azinë Juglindore këtë muaj, duke lënë një gjurmë shkatërrimi me reshjet e tij intensive dhe erërat e fuqishme.
Reshjet përmbytën veriun e Tajlandës, duke zhytur shtëpitë dhe fshatrat buzë lumit dhe duke vrarë të paktën nëntë njerëz.