Opozita serbe kërkon krijimin e një alternative ndaj Listës Serbe në Kosovë

Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP) në Serbi, Dragan Gjillas, ka thënë sot në takimin e opozitës serbe dhe delegacionit të serbëve nga Kosova se partia e tij kurrë nuk do të pranojë që Kosova të jetë e pavarur apo anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Ai tha se mbijetesa e serbëve në Kosovë është vendimtare, “nëse ata nuk janë aty, lufta do të humbiste kuptimin e saj”.

Gjillas përmendi edhe një sërë masash që duhet të ndërmerren që jetesa e serbëve në Kosovë të jetë më e mirë, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

Ndër to janë ndërtimi i impianteve prodhuese, blerja e produkteve bujqësore, investimi shtesë në Universitetin e Mitrovicës.

Kryetari i Partisë së Qendrës së Serbisë, Zdravko Ponosh theksoi se “trajektorja negative nuk mund të ndalet derisa qeveria aktuale është në Beograd” dhe se është realisht e mundur të ndalet “rënia e popullit serb në Kosovë” në afat të shkurtër.

“Në seancën për Kosovën do ta detyrojmë qeverinë të japë llogari, opozita ka fuqi, le ta dijë se po i shikojmë”, tha Ponosh.

Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Zoran Llutovac, ka theksuar se është e nevojshme të formohet alternativë politike ndaj Listës Serbe dhe se tubimi i sotëm është “farë” për formimin e kësaj alternative.

“Duhet të thyhet zinxhiri i korrupsionit në linjën Beograd – Lista Serbe. Paratë e ndara ndër vite për popullin e Kosovës përfunduan në xhepat e gabuar, domethënë nuk shkuan aty ku duhej”, tha Llutovac.

Përfaqësuesi i Frontit të Gjelbër-Majtas në Serbi, Robet Kozma, ka theksuar se serbët në Kosovë janë “në hendekun mes dy politikave të gabuara – Prishtinës dhe Beogradit”.

“Politika e pushtetit në Beograd ka përjetuar një kolaps të plotë, është kriminale dhe hipokrite, ashtu si në fusha të tjera”, tha Kozma.

Deputeti i Lëvizjes Kombëtare të Serbisë, Alleksandar Ivanoviq, i ka sugjeruar delegacionit të serbëve nga Kosova që të “përpiqen të mbledhin të gjithë individët, aktorët politikë që nuk gravitojnë as kah kryeministri i Kosovës, e as kah kjo lloj politike në Beograd”.

Por, ai tha se ky “është një mision i rrezikshëm. Dhjetë ditë pasi Olliver Ivanoviq paraqiti një ide të tillë, ai u vra”, tha Ivanoviq.

Kryetari i Forumit Nacional Serb nga Graçanica, Momqillo Trajkoviq, ka thënë se delegacioni i serbëve nga Kosova, në të cilin është edhe ai, qëllim ka krijimin e një politikë autentike serbe në Kosovë “që duhet të jetë shtyllë e Serbisë. Ne do të donim të merrnim pjesë në krijimin e asaj politike në Serbi për Kosovën”, shtoi Trajkoviq.

Delegacioni i serbëve nga Kosova, i cili sot bisedoi me partitë dhe lëvizjet opozitare të Serbisë, vëmendja e të cilave është e përqendruar në Kosovë, përbëhet nga Forumi Demokratik Serb, Forumi Kombëtar Serb dhe Lëvizja “Atdheu”.