Kosova dhe El Salvadori nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Disporës, Liza Gashi, ka takuar sot zëvendësministren e Punëve të Jashtme të El Salvadorit, znj. Adriana Mira, me të cilën ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, me fokus të veçantë në bashkëpunimin politik, ekonomik dhe kulturor.

Sipas njoftimit të MPJD-së gjatë këtij takimi, dy zëvendësministret Gashi dhe Mira, si hap të parë, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe El Salvadorit, i cili do të shërbejë si bazë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha kyçe.

"Me këtë rast, u theksua edhe rëndësia e zhvillimit të konsultimeve politike ndërmjet dy vendeve tona, si mundësi e mirë për bashkërendim të aktiviteteve dhe koordinim të politikave në arenën ndërkombëtare", thuhet në njoftim.

Po ashtu, ky diskutim ka përfshirë edhe mënyrat për të rritur bashkëpunimin në edukimin e lartë dhe shkëmbimin në nivel akademik, me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve dhe krijimit të mundësive të reja për studentë dhe profesionistë nga fusha.

"Përveç interesimit të shtuar për zhvillimin e projekteve të përbashkëta kulturore dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare, ky koordinim do të shërbejë si një hap i rëndësishëm për një partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe El Salvadorit, duke ndërtuar ura bashkëpunimi në nivel politik, kulturor dhe ekonomik", thuhet në njoftim.