Haxhiu: Ndërkombëtarët kundërshtuan veprimet tona, që kur kemi ardhë në pushtet 

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, thotë se që nga koha kur qeveria aktuale e ka marrë pushtetin, veprimet e saj janë kundërshtuar nga ndërkombëtarët.

“Qeveria jep llogari në raport me veprimet që i bën. Për sa kohë që ato janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kanë për qëllim që të funksionojë rendi dhe ligji atje (në veri të vendit), që secili qytetar i Republikës së Kosovës të jetojë sigurt atje, unë vlerësoj se duhet të kemi mbështetje, por që këtë nuk e kemi pasur. Që nga fillimi i mandatit tonë jemi kundërshtuar për këto veprime”, u shpreh ajo.

Gruaja që udhëheq dikasterin e drejtësisë, e vlerëson si të padrejtë presionin që ajo thotë se po i bëhet qeverisë.

“Vlerësoj që presioni që na bëhet është i padrejtë, kërkesat që na bëhen janë të padrejta, dhe janë vetë në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës”, deklaroi ajo.

Ministrja mes tjerash theksoi se presioni duhet t’i vendoset Serbisë.

“Vlerësoj se presioni duhet t’i vendoset Serbisë, sidomos duke e marrë parasysh se ne gjatë kohës që kemi qenë në negociata, Serbia ka bërë sulm terrorist në Republikën e Kosovës, para një viti”. /klankosova