Sekuestrohet sasi e madhe e pijeve alkoolike me banderola të Serbisë

Njësi të Doganës dhe Policisë së Kosovës kanë sekuestruar mallra të kontrabanduara në dy subjekte afariste në Kllokot, Viti.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës thuhet se mallrat e kontrabanduara ishin kryesisht pije alkoolike me banderolla të Serbisë.

“Njësia e TASK FORC-ës -Lindje ( e përberë nga Dogana e Kosovës dhe Policia) në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në zonën kufitare RMV-RKS. Pas pranimit të informatave për posedim te mallrave të kontrabanduara jane kontrolluar dy subjekte afariste në Kllokot-Viti”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Po ashtu sipas njoftimit bëhet e ditur se gjatë kontrollit të subjekteve janë hasur pije alkoolike me banderolla të Serbisë që dyshohej se janë sjellur përmes rrugëve ilegale ku pronarët nuk kanë ofruar dokumentacion të rregullt mbi prejardhjen e mallrave.

“Mallrat janë sekuestruar dhe derguar në terminalin doganore,ku vlera e tyre është 5000 euro”, vijon njoftimi.

Rasti është duke u trajtuar nga njësitet e doganes së Kosovës.