Dardanët për Evropianin Shqipëri – Serbi: Ngjarja do të organizohet, por turpi do të jetojë përjetë dhe s’do të falet
Mbrëmë (e enjte) është konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria dhe Serbia do të bashkëpunojnë për organizimin e Kampionatit Evropian U-21.
Ky vendim pati shumë reagime nga opinioni sportiv në Kosovë dhe Shqipëri.
Së fundmi kanë reaguar edhe tifogrupi “Dardanët”, përmes një postimi në Facebook, ku u shprehën ngjarja edhe do të organizohet, por turpi do të jetojë përjetë dhe nuk do të falet. /Zëri
Postimi i plotë i Dardanëve:
Dikush ka vendosur që ta normalizojë bashkëpunimin me të ashtuquajturat serbe dhe të ashtuquajturën serbi si kurrgjë hiç duke shkelur me dy këmbë mbi emocionet, gjakun dhe plagët e freskëta te shqiptareve të kësaj treve dardane. Pak ditë pasi kujtuam si popull rënien në detyrë të heroit Afrim Bunjaku dhe hyrjen terroriste, barbare e kriminale të çetnikeve të furnizuar me municion armësh nga vendi fqinj hegjemonist, na vjen lajmi zyrtar se nga Tirana paskan vendosur të bashkëpunojnë me Serbinë për bashkorganizim të Euro 2027 për grup-moshën U-21. Bashkëpunojnë me federatën e atyre që nuk e shqipton asnjë dënim kur çdo javë klubet serbe shfaqin banderola shoviniste me flamurin e Kosovës të mbuluar me ngjyra të Serbisë apo kur tifozët e klubeve të Beogradit bëhen nxitës e motivues për rikthim të ushtrisë serbe ne Kosovë, gjë që më pas u përpoq të ndodhë me një grup terrorist derisa mori përgjigjen e burrave dhe grave heroike të Republikës, të cilët u treguan se pragun e shtëpisë e mbrojmë në çdo pëllëmbë të tij. Shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për poshtërim moral dhe emocional, por ndihmë dhe përkrahje. Ngjarja edhe do të organizohet, por turpi do të jetojë përjetë dhe nuk do të falet. Kosova nuk do ta falë. Jo në emrin tonë!