Sokoli për Kampionatin Evropian Shqipëri-Serbi: S’e kuptoj se si munden – s’duhet zhvleftësuar gjysma e kombit, Kosova
Trajneri kosovar dhe profesori i sportit, Bylbyl Sokoli, ka folur pas vendimit të UEFA-s që t’ia lejojë Shqipërisë dhe Serbisë organizimin e Kampionatit Evropian U21.
Sokoli tha se duhet të kihet kujdes që të mos zhvleftësohet gjysma e kombit, në këtë rast Kosova, pasi sipas tij, kjo politikë e injorancës është e dëmshme për shqiptarët.
“Vetëm nuk mund të kuptojë se si mund të organizohet një kampionat me një shtet apo me një federatë që në platformën e saj, parimi kryesor është anti-shqiptar. Kjo shihet në tribuna, ku shihen slogane anti-shqiptare vazhdimisht”.
“Ende ka kërcënime ndaj territorit të Kosovës dhe është e paimagjinueshme sesi të organizohet një kampionat i tillë. Nuk jam kundër bashkëpunimit, por megjithatë, mendoj se në këtë rast, kjo politikë e injoracës ndaj Kosovës është e dëmshme për kombin në përgjithësi”, tha Sokoli në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se është i sigurt se organizimi i këtij kampionati nuk do të krijojë përçarje mes shqiptarëve, por sipas tij, prapa këtij organizmi, përveç Federatës Shqiptare të Futbollit, qëndron edhe shteti shqiptar.
“Jam i sigurt se nuk do të ketë përçarje, sepse kjo lëvizje që është bërë nga FSHF-ja, mendoj se është edhe nga shteti shqiptar, sepse nuk mund ta organizosh një kampionat ndërkombëtar pa pjesëmarrjen e shtetit”, tha ai.