Ngazëllim dhe pasiguri për shtetin e paralajmëruar Bektashi

Nuk dinë shumë se si do të duket e as çfarë do të përfitojnë, por e mirëpresin nismën për krijimin e një shteti për Urdhrin Bektashi në Tiranë.

Ndjekës të kësaj lëvizjeje, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, thonë se është koha për një qendër të tillë fetare.

“Është një gjë e mrekullueshme. Nuk e dimë se si do të bëhet, por është një gjë shumë e mirë që bota ta njohë bektashizmin”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zalo Qato, besimtar bektashi në qarkun e Beratit.

Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore".

Për bektashiun nga Prishtina, Fetah Bakija, është po ashtu një lajm i gëzueshëm - jo vetëm për komunitetin, por edhe për shqiptarët në përgjithësi, thotë ai.

“Kurrë ne shqiptarët nuk kemi pasur një qendër fetare, ndërsa kemi qenë kontributdhënës për të gjitha fetë që ekzistojnë në botë”, thotë Bakija.

Lajmi se Shqipëria “planifikon një shtet të ri mysliman brenda kryeqytetit të saj” mbërriti më 21 shtator në faqet e gazetës prestigjioze amerikane New York Times.

Një ditë më vonë, më 22 shtator, nisma u bë publike nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një fjalimi që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë. Ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”, tha Rama në fjalimin e tij.

Entiteti sovran i Urdhrit Bektashi, sipas Ramës, do të ndërtohej brenda perimetrit të pronës së Kryegjyshatës Botërore në Tiranë.

Kryegjyshata: Nuk duam pushtet, por vijim të traditës

Selia botërore e bektashinjve në Tiranë, e njohur si Kryegjyshata, tha përmes një deklarate për mediat se e mbështet nismën e Qeverisë që synon ta njohë “Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisës, i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore”.

Ne jemi Kryegjyshata Botërore, kështu që përse të mos jemi shtet, të na njohë bota?"

Duke theksuar se Urdhri Bektashi do të fitonte sovranitet të ngjashëm me Vatikanin - një qytet-shtet në Itali, ku është selia e Kishës Katolike Romake - Kryegjyshata tha se kjo lëvizje do t’i mundësonte Urdhrit Bektashi ta forconte rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm në botë.

“Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore. Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, thuhet në deklaratë.

Duke folur për gazetën New York Times, Baba Mondi tha se shteti i ri nuk do të ketë ushtri, roje kufitare apo gjykata, por do të ketë një shërbim të vogël inteligjence, “sepse edhe ne kemi armiq”.

“Ka ardhur koha të vihet në jetë”

Nisma e Ramës, megjithatë, hasi në kritikat e kundërshtarëve politikë.

Në mesin e tyre, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se ajo vjen “për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga mashtrimet” dhe “qëndrimet antishqiptare të Qeverisë Rama”.

Kryeministri u përgjigj duke thënë se “kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë”, sepse është “në harmoni të plotë me interesin tonë kombëtar”.

“Të adresosh sot këtë çështje, do të thotë të mbrosh një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë historike dhe kulturore të kombit shqiptar, pa llogaritur edhe të tjera të mira të mëdha që do t’i sjellë Shqipërisë e shqiptarisë krijimi i një entiteti të tillë sovran në botën e trazuar ku jetojmë”, shkroi Rama në platformën X.

Aktualisht, në Shqipëri ka shumë pak informacione se si dhe kur do të krijohet ky shtet, apo kush do të marrë shtetësinë prej tij dhe çfarë do të përfitojë.

Përkundër përpjekjeve, Rel-i  nuk arriti të marrë asnjë informacion nga Kryegjyshata në Tiranë, e as nga Gjyshata e Bektashianëve të Kosovës.

Udhëheqësi i kësaj të fundit, Rrauf Radoniqi, tha se nuk mund ta komentojë nismën, për shkak se ende nuk ka marrë ndonjë letër apo dokument zyrtar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, përmes së cilës do të sqarohej zyrtarisht kjo nismë.

Komuniteti Mysliman Shqiptar tha se "nisma e tillë mund të jetë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit" dhe siguroi përfaqësimin e të gjithë besimtarëve myslimanë, të cilitdo tarikat, "ashtu siç kemi bërë deri më sot".

Në shkrimin në X, as Rama nuk dha shumë hollësi.

“Nga ideja te jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar. Kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota”, shkroi ai.

I cituar nga New York Times, Rama tha se vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt e dinë për planin, ndërsa aleatët e NATO-s si Shtetet e Bashkuara nuk janë konsultuar.

REL-i pyeti NATO-n, Departamentin Amerikan të Shtetit dhe BE-në për këtë plan të Ramës, por nuk mori përgjigje prej asnjërit institucion. /REL

Shkrimin e plotë mund ta lexoni: KETU