Në kohën kur Sylejman Selimi ishte i punësuar në FFK, kompania e djalit të tij përfitoi mbi 230 mijë euro

Përfitues i fondeve të Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila drejtohet nga Agim Ademi, rezulton të jetë edhe kompania “MI FIX”, e cila është në pronësi të djalit të ish-anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Sylejman Selimi. Kjo kompani kishte fituar tenderë nga FFK-ja në kohën kur Selimi ishte anëtar i KE-së.

Në bazë të përllogaritjeve përgjatë viteve 2021\22, FFK-ja i ka ndarë hiç më pak se 234 mijë e 143 euro. Sipas të dhënave që ka siguruar “Albanain Post”, këto mjete kompanisë së djalit të Selimit i janë ndarë për rregullimin e stadiumit në Shkabaj dhe në Vitomericë të Pejës.

Por ndarja e mjeteve financiare nuk është shkelja e vetme që Ademi e ka bërë në raport me Selimin. Vetë emërimi i tij si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së – që sipas burimeve të AP-së është bërë drejtpërdrejt nga Ademi për të shuar zërat kritikë ndaj tij, për shkak të autoritetit që Selimi e ka nga koha e luftës – është në kundërshtim me statutin e FFK-së, përkatësisht Nenin 24.

Ky nen e thotë qartë se nuk mundet të jetë anëtar i asnjë organi të FFK-së dikush që është i dënuar me vendim të plotfuqishëm të gjykatës.

Prandaj, me emërimin e Selimit si anëtar i KE-së është shkelur statuti i FFK-së, pasi që ai ka qenë i dënuar në vitin 2015 me shtatë vjet burgim për veprën penale “keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës”. Ai u lirua me kusht nga burgu në fillim të vitit 2019 për “sjellje korrekte”.

Përmes të dhënave bankare që ka siguruar Albanian Post, dëshmohet se dhjetëra njerëz të afërt me Agim Ademin, kanë fituar para kundërligjshëm nga Shtëpia e Futbollit të Kosovës.

Ndërkaq kjo është vetëm pjesa e parë e keqpërdorimeve që Ademi dhe zyrtarët e tjerë të FFK-së i kanë bërë në krye të këtij institucioni.

Ditëve në vijim Albanian Post do të publikojë gjetjet e tjera me fakte shteruese për korrupsion, shmangie nga tatimi përmes mashtrimit të shtetit e nepotizëm.