Mira Murati largohet nga OpenAI

Mira Murati, Shefja për Teknologji e kompanisë OpenAI, ka njoftuar largimin e saj pas më shumë se gjashtë vjetësh në këtë pozicion.

Gjatë karrierës së saj në OpenAI, Murati kishte marrë një rol kyç, veçanërisht gjatë një periudhe sfiduese vitin e kaluar, kur pati një përpjekje të dështuar për puç ndaj themeluesit të kompanisë, Sam Altman.

Në një mesazh drejtuar punonjësve të OpenAI, të cilin e shpërndau edhe në rrjetin social X, Murati deklaroi se “kam marrë vendimin që të largohem nga OpenAI”.

Ky vendim pason një seri largimesh nga disa zyrtarë të lartë të kompanisë, përfshirë edhe bashkëthemeluesit Ilya Sutskever dhe John Schulman, transmeton Telegrafi.

OpenAI, kompania e njohur për krijimin e ChatGPT, ka qenë një nga kompanitë me rritjen më të shpejtë në botë.

Në mesazhin e saj, Murati, inxhinierja 35-vjeçare nga Vlora, Shqipëri, theksoi se “asnjëherë nuk është momenti i duhur për të larguar nga një vend që e vlerëson, por ndiej se ky është vendimi i duhur”.

 

 

Murati gjithashtu përmendi se lançimi i modeleve për të folurit të OpenAI o1 shënon fillimin e një epoke të re në fushën e inteligjencës artificiale dhe ndërveprimit njerëzor, duke vlerësuar inteligjencën dhe mjeshtërinë e kolegëve të saj në kompani.

Ajo shpjegoi se vendimi për t’u larguar erdhi nga dëshira për të krijuar “kohë dhe hapësirë për të eksploruar”, duke theksuar se synimi i saj është që tranzicioni në kompani të zhvillohet sa më lehtë pas largimit të saj.

Sam Altman, CEO i OpenAI, përmes një postimi në X, shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Muratit për kontributin e saj në suksesin e kompanisë. “Mira Murati ishte një person shumë i rëndësishëm për misionin tonë dhe për ne personalisht,” shkroi Altman. Ai shtoi gjithashtu se ndjehet jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e saj gjatë kohërave të vështira dhe mezi pret të shohë projektet e ardhshme të saj.

Vlera e OpenAI është rritur me shpejtësi që kur, në vitin 2022, lansoi aplikacionin ChatGPT, duke e bërë një prej kompanive më të vlefshme në botë, me një vlerë të vlerësuar mbi 150 miliardë dollarë. /Telegrafi/