Haradinaj komenton për deklaratën e Hovenierit, “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni”

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të SHBA-së, Jeffery Hovenier “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni”.

Haradinaj ka thënë se Ambasadori e njeh mirë vendin tonë pasi ka qenë i angazhuar që nga lufta e UÇK-së për çështjen e Kosovës, transmeton Zeri.info.

“Ambasadori Amerikan Jeffrey Hovenier ka qenë i kyçur në temën e Kosovës që nga lufta çlirimtare e popullit tonë e posaçërisht gjatë negociatave nën udhëheqjen e Martti Ahtisaarit. Ambasadori Hovenier shquhet si njeri me vlera të larta njerëzore, top diplomat me një urtësi të madhe politike, njerëzore dhe intelektuale. Ai ka gjithmonë fjalë të përzgjedhura dhe ka një dashuri të madhe për Kosovën dhe popullin e saj”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, shprehja e ambasadorit “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni”, është si një shprehje e paknaqësisë për rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosoval.

“Shprehja e tij “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni” është shprehje shumë e pazakontë e tij. Kjo shprehje e pazakontë është shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova. Njerëzve që e duan Kosovën si Hovenier kjo ju dhemb. Kosova është keq dhe ka trend të përkeqësimit. Këmbanat po bien për të gjithë ata që kanë vesh!”, ka shkruar Haradinaj. /Zëri