Bunjaku-Rexhepi ngre shqetësime për punësimet në konkursin e arsimit dhe diskriminim gjinor në Komunën e Gjilanit

Deputetja nga Gjilani, Valentina Rexhepi-Bunjaku, e cila përfaqëson interesat e Kosovës në Parlament, ka ngritur zërin për parregullsi të mëdha në lidhje punësimet e fundit në sektorin e arsimit në Komunën e Gjilanit.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për përkrahjen që ka marrë nga qytetarët e Anamoravës dhe të komunës së saj, duke theksuar se e ndien obligim të ngrinte shqetësimet në lidhje me keqmenaxhimin e procesit të punësimeve.

“Gjatë gjithë karrierës time kam mbrojtë interesat e grave, kam mbrojtë gjithë kauzat e grave dhe barazinë gjinore. Të gjithë ata të cilët kanë apliku për mësimdhënie si djemtë, burrat, gratë duhet të jenë të barabartë, duhet të plotësohen kriteret”, tha deputetja.

Ajo shtoi se mendësia e kryetarit të komunës, i cili ka shkarkuar tri drejtoresha radhazi, është “e papranueshme dhe një motiv i keq për gratë dhe vajzat e reja të cilat duan të merren me politikë”.

Ajo gjithashtu kritikoi shkarkimin e grave nga pozitat e tyre, duke përfshirë drejtoreshën e Shëndetësisë, duke vënë në dukje se një mendësi e tillë dëmton avancimin e gruas në sferën publike.

“Ky administrator, zoti Hyseni, thjesht e ka degraduar pozitën e gruas, dhe unë jam e obliguar të mbroj me fanatizëm avancimin e saj në politikë dhe kudo që ndodhet”, ka thënë ajo.

Deputetja thotë se si LDK kanë dhënë mesazh të mirë për të gjithë gratë dhe vajzat, të cilat duan të merren me politikë.

“Ne si LDK kemi dhënë mesazh të mirë për gjithë gratë dhe vajzat, të cilat duan të merren në politikë sepse në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka hapësirë të mjaftueshme për gruan dhe kjo nuk është veç fjalë, kjo është edhe veprim konkret, të cilin e ka bërë Haziri, kur në vitin 2013, më ka bërë mua si kryesuese e kuvendit komunal, që gjë që kam qenë pa përvojë. Ka qenë hera e parë që kam fitu kandidate për këshilltare komunale dhe më është besu pozita si kryesuese e kuvendit komunal, pikërisht nga Haziri, sepse i ka dhonë mundësi dhe hapësirë pozitës gruas”, ka theksuar deputetja.

Në deklaratën e saj, deputetja kritikoi ashpër procesin e konkursit të fundit në arsimin e Gjilanit, duke e cilësuar atë si të manipuluar dhe të ndikuar nga nepotizmi.

Sipas saj, ky konkurs është përdorur për të favorizuar individë të lidhur me pushtetin, duke përfshirë “kunata, ballëzka dhe të afërm” të drejtorëve dhe kryesuesve komunalë.

“Kjo mendësi e mbrapshtë që favorizon gjithmonë të afërmit dhe kunatat duhet të ndalet. Ne duhet të kemi barazi në punësime, ku burrat, gratë dhe të gjithë ata që aplikojnë për mësimdhënie të trajtohen njësoj dhe të plotësojnë kriteret e kërkuara”, theksoi deputetja.

Në përfundim, deputetja bëri thirrje për ndërhyrje nga organet përkatëse dhe anulimin e konkursit. Ajo kërkoi që të hapet një konkurs i ri, ku rekrutimet të bëhen në mënyrë të drejtë dhe transparente, në përputhje me kriteret dhe standardet e përcaktuara.

“I ftoj të gjithë ata që kanë njohuri për këtë nepotizëm të drejtohen në prokurori”, tha ajo, duke shtuar se konkursi duhet të trajtojë njësoj gratë dhe burrat në procesin e rekrutimit.