Elshani: Rënia e Afrim Bunjakut ka qenë një goditje për ne

Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonalë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, ka thënë se rënia në detyrë e rreshterit Afrim Bunjaku ka qenë një goditje.

Elshani ka deklaruar se Policia në pjesën veriore të vendit merr çdo ditë vendime të rënda e të vështira.

“Rënia e Afrimit ka qenë një goditje për ne, mirëpo kjo na bën edhe më të fortë, ne normalisht e vazhdojmë punën tonë në drejtim të vendosjes së ligjshmërisë në këtë vend, në ofrim të shërbimeve ndaj qytetarëve të vendit”.

“Çka mund të them është se unë si zëvendësdrejtor çdo ditë e çdo natë marr vendime shumë të rënda dhe shumë të hidhura, vendimet merren në varësisë të objektivave që ne i kemi. Dua ta them për qytetarët marrim çdo ditë vendime shumë të rënda dhe shumë të vështira, në mëngjes e përshëndetim kolegun dhe në mbrëmje nuk e dimë a vjen ai”, ka thënë Elshani në Klan Kosova.