Avokati Sokol Mëngjesi kërkon lirimin e personit që dyshohet se urdhëroi rrahjen e tij

Avokati Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua barbarisht më datë 29 maj të këtij viti, përmes një deklarate noteriale i kërkon Gjykatës së Tiranës lirimin nga qelia të Dritan Nanos, personit të dyshuar se ka porositur aktin, me argumentin se nuk ka asnjë konflikt as personal dhe as penal me këtë shtetas.

Përmes mbrojtësit ligjor, Mëngjesi një deklaratë të tillë e depozitoi në seancën e kësaj të mërkure, ku kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë së Nanos.

Trupa e gjykimit nuk e mori parasysh kërkesën, duke lënë në fuqi masën e sigurisë vendosur ndaj Nanos.

Sokol Mëngjesi u dhunua nga tre persona mëngjesin e 29 majit, mbasi la fëmijën në kopsht, në zonën e ish-bllokut.

Personat që morën pjesë në këtë konflikt ishin Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku. Ky i fundit nuk mori pjesë në dhunë, por ndihmoi njërin prej autorëve ta largonte nga vendi i ngjarjes.

Nga informacionet mësohet se Sokol Mëngjesi është rikuperuar dhe ka nisur aktivitetin e punës. Shumë shpejt pritet të marrë pjesë edhe në seancat gjyqësore, për të mbrojtur klientët që ai përfaqëson.