Basketbollisti i Pejës s’ia zgjati dorën lojtarit serb, që ditë më parë shkroi “Kosova është Serbi”
Skuadra e Pejës pësoi humbje të thellë të martën mbrëma në ndeshjen e parë kualifikuese për FIBA Europe Cup, pasi është mposhtur në Greqi nga Maroussi.
Në duelin e parë, i luajtur të martën, Peja është mposhtur me rezultatin 98:75 dhe është në prag të eliminimit në fazën kualifikuese të kësaj gare.
Por ajo çka ra në sy pas ndeshjes ishte një sekuencë që përfshinte basketbollistin e Pejës, Andi Ahmetin.
Andi refuzoi t’ia zgjatë dorën lojtarit serb nga klubi grek.
Basketbollisti serb i Maroussit, Miroslav Raduljica, ditë më parë kishte shkruar një koment në një postim të klubit grek: “Kosova është Serbi”.
Përballja e dytë mes këtyre dy skuadrave do të luhet të enjten mbrëma, që po ashtu do të zhvillohet në Greqi.