AAK-ja dhe partnerët e koalicionit prezantojnë programin, e quajnë zhvillimor dhe integrues në BE e NATO

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, bashkë me partnerët e koalicionit parazgjedhor, kanë prezantuar të mërkurën programin zgjedhor 2025-2029.

Nga krerët e këtij koalicioni ky program u quajt zhvillimor e integrues në mekanizmat ndërkombëtarë.

Kryetari i AAK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se ky program është rezultat i një punë dyvjeçare, që përfshin katër shtylla kryesore, e siç janë anëtarësimi urgjent i Kosovës në NATO, zhvillimi i hovshëm ekonomik, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE dhe me konceptin Kosova shtet i jetueshëm e jo i braktisur.

 

“Ky program është rezultat i një pune dyvjeçare. Rezultat i mbi 20 tryezave tematike-sektoriale, dhjetëra takimeve e konsultimeve të organizuara nga Aleanca e partnerët e ku kanë marrë pjesë qindra ekspertë të profileve e fushave të ndryshme, të ekonomisë e financave, arsimit e shëndetësisë, çështjeve sociale e kategorive të lirisë, sigurisë, politikës së jashtme e diplomacisë, energjisë, kulturës, ambientit, rinisë”, u shpreh Haradinaj.

 

“Programi ynë si moto e ka ‘Për një Kosovë ndryshe’. Për një Kosovë, për të cilën është punuar ndër breza dhe janë burgosur dhe e kanë dhënë jetën mijëra luftëtarë e patriotë. Vizoni ynë i shprehur në këtë Program për një Kosovë Ndryshe, një Kosovë sovrane, më të fortë, më demokratike e më të zhvilluar qëndron mbi 4 shtylla: Anëtarësimi urgjent i Kosovës në Nato, Zhvillimi i hovshëm Ekonomik, Përmbyllja e Dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE dhe me konceptin Kosova shtet i jetueshëm e jo i braktisur”.

“NATO-ja, Liria dhe Shteti i Kosovës, janë projekt i përbashkët i yni me demokracitë perëndimore, dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Kosova do të jetë aty ku e ka vendin në NATO dhe BE. Kosova mund të jetë vend i sigurt dhe i pa cenueshëm duke qenë pjesë e NATO-s, e kjo nuk mund të bëhet me udhëheqje autoritare. Shtylla e rëndësishme është zhvillimi i hovshëm ekonomik”, ka thënë Haradinaj.

E kryetari i Nismas, Fatmir Limaj, ka thënë se ky program jep shpresë dhe mundësi, me ç’rast ka përmendur edhe objektivat e koalicionit.

 

“Në dertimin e këtij programi kemi ndërthurur dhe në krye përveç detyrave janë edhe njerëzit që do ta zbatojnë. Shumë është më rëndësi ndërthurja e njerëzve. Është një program i kapshëm konkret që atakon nevojat e njerëzve, një program që jep shpresë dhe mundësi. Ka për objektiv çlirimin e këtij populli. Ne kemi mbledhur shqetësimet, është një program dinamik që do të ju përshtat nevojave dhe kërkesa te vazhdueshëm. Objektivat tona janë në reforma, Kosovës i duhet urgjentisht një reformë fiskale. Mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme. Kosovës i duhet kthimi i modelit të partneritetit publiko-privat. Objektivi ynë është mirëqenia në familje. Objektiv është edhe sektori energjetik. Termocentralet do të jenë objektivi i yni. Për të pasur një zhvillimi ekonomik, bujqësia duhet që të jetë epiqendra. Për të pasur një zhvillim ekonomik na duhet sektori i turizmit të fuqizohet”, u shpreh Limaj.

 

Kryetari i Forumit Intelektual E-30, Artan Nimani, ka thënë se ky koalicion është një përkushtim i palëkundur, sipas tij, për të ndalur degradimin e skajshëm diplomatik, ekonomik e social të vendit.

“Ky moment është jo vetëm një bashkim forcash por edhe një përkushtim i pa lëkundur për të ndalur degradimin e skajshëm diplomatik ekonomik e social të vendit. Ky vizion i ri dhe ambicioz që synojmë të kthejmë shpresën dhe besimin e qytetarëve. Dua ta theksoj që mandatari ynë, Ramush Haradinaj, do të udhëheq qeverinë e ardhshme me vendosmëri duke rikthyer stabilitetin, progresin e besimin në institucione. Fokusi ynë është shumë i qartë, ne do të angazhohemi fuqishëm në zhvillimin ekonomik të qëndrueshme, duke i dhënë përparësi sektorëve kyç të ekonomisë”, u shpreh Nimani.

Abdullah Klinaku, kryetar i Listës Konservatore, ka thënë se në këtë program qeverisës familja ka qenë po ashtu një nga prioritete e programit, me ç’rast edhe i ka bërë të ditura propozimet në kuadër të kësaj çështje.

 

“Familja për ne paraqet një nga prioritetet tona për këtë program qeverisës. Ne kuadër të kësaj kemi dhënë disa propozime. Propozimet kryesore, që i shohim shumë të rëndësishme është formimi i Ministrisë për Familje, si një nga politikat më të mira të vendit që kanë pasur për qëllim mbrojtjen e familjes. Në kuadër të kësaj propozojmë dhe zotohemi që do të kujdesim që institucionet qendrore si Kuvendi dhe Qeveria të jenë të kujdesshme në hartimi e legjislacionit që prek familjet dhe vlerat tradicionale të saj. Përkujdesje dhe subvencionim për fëmijët, pensionistë dhe personat me nevoja të veçanta. Shtesat për fëmijët deri në moshën 6 vjeçare në vlerën mujore prej 120 euro, dhe shtesat për fëmijët nën moshën 16 vjeçare ne vlerën mujore prej 150 euro”, ka thënë ai.