Shtyhet seanca në rastin “Banjska”, të akuzuarit ankohen se s’patën kohë ta lexojnë aktakuzën

Është shtyrë për 9 tetor seanca ndaj të akuzuarve për sulm të terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

 

Kjo seancë u shty pasi avokatët serbë u ankuan se nuk janë pajisur në kohë me shkresat e lëndës dhe të akuzuarit nuk kanë mundur ta lexojnë aktakuzën.

 

 

 

Prokuroria në anën tjetër ka insistuar se i ka kryer të gjitha obligimet.

Gjykata Supreme pritet të vendosë nëse për 42 serbët e akuzuar që janë në arrati për Banjskën, mund të ketë gjykim në mungesë.

Këtë e ka bërë të ditur gjyqtari i rastit, Arben Hoti.

 

Sipas tij, ka interpretime të ndryshme ligjore për këtë temë dhe Supremja duhet të marrë vendimin.

Avokati i familjes Bunjaku dhe Prokuroria kanë kërkuar gjykim në mungesë, kurse avokatët e kanë refuzuar.