Vokrri: Vështirë t’ia ndryshojmë mendjen BE-së nëse ka interes ta ledhatojë Serbinë
Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka komentuar ndikimin e politikës së jashtme të Kosovës në raport me shtetet partnere dhe Bashkimin Evropian, duke theksuar se pozita e Kosovës shpesh është e varur nga interesat e tyre.
Duke folur për masat e BE-së ndaj Kosovës, Vokrri ka theksuar se përpjekjet e Kosovës në diplomaci mund të hasin në vështirësi, sidomos kur shtetet evropiane kanë interes të veçantë për të ruajtur marrëdhënie me Serbinë.
“Se sa mundet me qenë efekti ynë në diplomaci në raport me shtetet e veçanta, nganjëherë edhe me bllokun varet më shumë prej interesave të tyre qysh e shohin. Nëse e shohin se për momentin interesin më të madhe kanë me ledhatu Serbinë, atëherë çfarëdo që bëjmë ne vështirë është me ia ndërru mendjen”, ka deklaruar Vokrri në Rtv Dukagjini.
Ministri Vokrri ka theksuar se vendimet ndërkombëtare lidhur me Kosovën nuk varen tërësisht nga angazhimet e institucioneve kosovare.
Ai ka thënë se partnerët ndërkombëtarë janë plotësisht të informuar për zhvillimet dhe se e dinë mirë situatën në terren, por kjo nuk garanton gjithmonë ndryshimin e qëndrimeve të tyre.
“Nuk varet krejt nga pala kosovare, nuk të themi se partnerët ndërkombëtarë nuk janë të informuar se çfarë ka ndodhur, ata e dinë mirë. Pavarësisht se çfarë angazhimi kemi bërë ne, edhe sikur të kishim bërtit në takime, edhe pse ka ndodh në njërin prej tyre në Parlamentin e Evropës këtë vit, ka qenë në muajin shkurt”, ka theksuar ai.