U la i lirë një ditë pasi e pranoi sulmin, ç’thotë Prokuroria e Lartë e Serbisë për Radoiçiqin një vit pas Banjskës?
Millan Radoiçiq u lirua një ditë pasi pranoi sulmin në Banjskë, ndërsa tani një vit pas Prokuroria e Lartë Publike në Serbi thotë se hetimet kundër tij janë duke vazhduar.
Tutje thuhet se Radoiçiqi është duke u hetuar si i dyshuar, ndërsa thuhet se ngarkohet me tri vepra penale: shoqërim për kryerjen e veprave kriminale, prodhim, mbajtje, dhe trafikim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Në tetor të vitit 2023, Millan Radoiçiq u lirua nga paraburgimi në Beograd pas më pak se një dite dhe gjatë seancës dëgjimore në prokurori ai pranoi organizimin e sulmit, duke pretenduar në të njëjtën kohë se nuk besonte se kishte kryer një krim.
“Radoiçiqi e ka statusin e të dyshuarit. Urdhri për hetimet e ngarkon atë se ka kryer tri vepra penale me persona të tjerë të panjohur: shoqërim për kryerjen e veprave kriminale, prodhim, mbajtje, dhe trafikim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për “Zërin e Amerikës”.