KQZ: 4417 aplikime për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës

Po vazhdon periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri paraditen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 4,417 aplikime për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri paraditen e së martës ka pranuar 4,417 aplikime për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 4,024, ndërsa janë refuzuar 393 sosh.

Kështu deklaroi për RTK-në, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai theksoi se në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.

“Nga 4,024 aplikimet e aprovuara, 1,473 janë votues të regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike, 433 për të votuar përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 2,118 për të votuar përmes postës në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës”, tha Elezi.

Krahas saj, ai bëri të ditur se po vazhdon edhe procesi i aplikimit të subjekteve dhe dorëzimit të listës së kandidatëve.

“Po vazhdon edhe periudha e aplikimit të subjekteve politike për tu cerifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje. Ka fillu në fillim të shtatorit dhe do të përfundoi me 11 dhjetor. Subjektet politike që duan të marrin pjesë duhet të dorëzojnë kërkesën për certifikim për zgjedhje dhe listën e kandikatëve", theksoi Elezi.

Ndryshe aplikimi për regjistrim jashtë vendit mund të bëhet përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së.

Votuesi mund të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

KQZ gjatë mbledhjes të së martës, ndër tjerash, diskutoi edhe për përgatitjet dhe vizitat për hapjen e kutive postare jashtë vendit.