Vendos UEFA, finalja e Ligës së Kampionëve më 2027 nuk do të luhet në “San Siro”
Finalja e edicionit 2026-2027 në Ligën e Kampionëve nuk do të organizohet nga Milani.
UEFA e ka zyrtarizuar sot pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Pragë.
“Meqenëse Bashkia e Milanos nuk mund të garantonte që stadiumi San Siro dhe zonat përreth nuk do të prekeshin nga punimet e rinovimit gjatë periudhës së finales së Ligës së Kampionëve 2027, u vendos që të mos jepet finalja dhe të rihapet procedura e caktimit. Vendimi do të merret brenda qershorit të vitit 2025”, thuhet në shënimin e organit kontinental.
Majin e kaluar, UEFA e pezulloi vendimin deri në shtator, ndërsa priste të merrte informacion nga FIGC mbi projektet e rinovimit në lidhje me Meazza në funksion të Euro 2032.
Finalja e edicionit 2025 do të luhet në Mynih, ndërsa akti i fundit i vitit 2026 do të mbahet në Budapest. Për vitin 2027 gjithçka mbetet ende për t’u përcaktuar.