Përdori taktikën e Mourinhos, Arteta: Ndikohem shumë nga ai

Mikel Arteta e ka pranuar se ndikohet shumë nga Jose Mourinho, derisa i përgjigjet edhe akuzave të lojtarëve të Manchester City, se Arsenali po bën “arte të zeza” (vonim i lojës, taktika tejet mbrojtëse).

Leandro Trossard u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në pjesën e parë të ndeshjes City – Arsenal, pasi e goditi topin kur gjyqtari kryesor sinjalizoi goditje dënimi për skuadrën e Pep Guardiolës. Njëjtë i kishte ndodhur edhe Declan Ricet në ndeshjen ndaj Brightonit më herët gjatë këtij muaji.

Këto situata e kishin detyruar Mikel Artetan që të përdorë një pjesë nga manuali i Jose Mourinhos dhe të vendosë “autobusin” para portës që mbrohet nga David Raya, duke tentuar ta mbrojë epërsinë prej 2-1 në pjesën e dytë.

Arteta pothuajse e arriti këtë “mrekulli”, megjithatë John Stones shënoi në sekondat e fundit të ndeshjes për të barazuar rezultatin në 2-2.

Mirëpo, edhe kjo mund të quhet sukses, me “Topçinjtë” që gati e kishin të merrnin një fitore në “Etihad”, në një mënyrë që do ta bënte shumë krenar Jose Mourinhon.

Kur Arteta u pyet se nëse Jose Mourinho ndikon te ai për këtë lloj taktike, ai tha: Më shumë se ndikim, më pëlqen të mësoj nga trajnerët më të mirë të botës”.

Arsenali i Artetas do të rikthehet në aksion këtë të mërkure në ndeshjen ndaj Bolton në Carabao Cup, para ndeshjes të së shtunës ndaj Leicester City në “Emirates Stadium”.