Osmani takon kryeshefen e MCC-së, e falënderon për mbështetjen milionëshe në energjisë

Presidentja Vjosa Osmani, ka takuar kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Në një postim në Facebook, Osmani falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në sektorin e energjisë.

“Gjithnjë kënaqësi ta takoj kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright”.

“Në New York, e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për sektorin e energjisë në Kosovë, përmes marrëveshjes historike në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, e e cila po kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë”, shkroi Osmani.

Janë bërë dy vite që nga nënshkrimi i marrëveshjes mes institucioneve të Kosovës dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Përmes kësaj marrëveshjeje Kosova do të fitojë një grant në vlerë prej 202 milionë dollarësh.

Shuma totale e marrëveshjes kap shifrën e 236 milionë dollarëve, ku pjesën tjetër të kësaj shume do ta paguajë Qeveria e Kosovës.

Ende nuk dihet nëse institucionet e Kosovës kanë nisur procedurat teknike për blerjen e instalimin e baterive, për ruajtjen e energjisë elektrike.

Investimi në bateri është paraparë në kuadër të marrëveshjes milionëshe me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) të nënshkruar gjatë 2022-ës por edhe në Strategjinë për Energjinë për vitin 2022-2031.