Konjufca: Afrim Bunjaku, hero i sovranitetit dhe integritetit të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në përkujtim të njëvjetorit të rënies së rreshter Afrim Bunjaku ka bërë homazhe te varri i tij.

Konjufca në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, tha se do të ecin rrugës së Afrim Bunjakut, sot e gjithmonë.

Konjufca bëri të ditur se bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë homazhe pranë varrit të Afrim Bunjakut, ‘hero i sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës’.

“Rreshter Afrimi na tregoi me modestinë e tij të punëtorit të sovranitetit dhe ligjshmërisë, se heronjtë e lirisë dhe heronjtë e shtetësisë përcaktojnë dy etapa të ndryshme të të njëjtës aspiratë e qëllimësi të lartë. Me ndërgjegje të lartë ai u gjend përballë paramilitarizmit të vjetër të Serbisë, për të mbrojtur me dinjitet atë çka e kërkon detyra dhe aspirata e kamotshme përparimtare e popullit tonë, duke konfirmuar se Republika e Kosovës e mbron dhe e avancon vetveten, e organizuar në mënyrë shtetërore e në mënyrë sistematike”, ka theksuar Konjufca.

Sipas Konjufcës, vetëmohimi i tij është shembulli më i vyer për të gjithë, se si duhet të veprojmë në momentet vendimtare kur e kërkon shteti dhe Republika.

“Jo vetëm që do ta kujtojmë e nderojmë, por dhe do të frymëzohemi prej tij të gjithë. Lavdi Afrim Bunjakut, heroit të Republikës së Kosovës! U kujtoftë dhe frymëzoftë gjeneratat e reja”, ka shkruar Konjufca.