Bislimi: Akti terrorist i 24 shtatorit u përball me rezistencën e denjë të Policisë së Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi në njëvjetorin e sulmit në Banjskë ka thënë se sulmi i 24 shtatorit të vitit të kaluar tentoi të cenonte rendin ligjor dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, akti agresor e terrorist u përball me rezistencën e denjë dhe profesionale të Policisë së Kosovës.

“Lavdi për Afrim Bunjakun dhe të gjithë heronjtë e Kosovës”, shkroi mes të tjerash Bislimi.

Reagimi i plotë i Bislimit, pa ndërhyrje:

Sulmi paramilitar serb i 24 shtatorit të vitit të kaluar, tentoi të cenonte rendin tonë ligjor e kushtetues, sovranitetin e integritetin territorial. Ky akt agresor e terrorist, u përball me rezistencën e denjë dhe profesionale të Policisë sonë, e ku heroi Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur shtetin e Republikën tonë. Shërbeu me nder e përkushtim, deri në vetëflijimin heroik.

Veprës së tij, i jemi mirënjohës përherë si komb, e për këtë do ta nderojmë për jetë e mot. Emri i tij u ngulit me shkronja të mëdha sot në veriun e vendit tonë, ku përmes vendimit të mbrëmshëm të mbledhjes së 221-të të Qeverisë, në Banjskë të Zveçanit u vendos tabela e rrugës që mban emrin Afrim Bunjaku.

Kjo është rruga e Republikës së Kosovës, është rruga e Afrim Bunjakut, rruga e familjes së tij, rruga e të gjithë neve. Është rruga që na përkujton sakrificën e tij, që na udhëheq drejt parimeve të drejta e liridashëse, që na frymëzon për atdhedashuri.

Lavdi për Afrim Bunjakun dhe të gjithë heronjtë e Kosovës.