Sveçla: Përgjegjësi e Serbisë vrasja e Afrim Bunjakut, t’i dorëzojë terroristët sa më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në njëvjetorin e rënies heroike të rreshterit policor Afrim Bunjaku ka thënë se përgjegjësia për vrasjen e tij dhe organizimit të sulmit terrorist në Banjskë është drejtpërdrejtë e Serbisë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Sveçla ka thënë se drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet t’i dorëzojë terroristët sa më parë.

“Përgjegjësia për vrasjen e heroit Afrim Bunjaku dhe organizimit të atij sulmi terrorist është drejtpërdrejt e Serbisë. Drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet t’i dorëzojë terroristët sa më parë.

Rruga e fshatit Banjskë ku u vra Rreshter Afrimi nga sot mban emrin e tij. Ajo është rruga që kolegët e tij e kalojnë çdo ditë në shërbim. Mesazhi që dha rreshter Afrimi është i qartë, terrorizmin e luftojmë me çdo kusht. Rruga që trasoi Afrimi është e përditshmja jonë bashkë me kolegët e tij, sundimi i rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”, shkroi ai, teksa bashkëngjiti fotografitë nga homazhet dhe vizita në familjen Bunjaku.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, i sanksionuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Millan Radoiçiq, i cili mohoi se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.

Lidhur me sulmin e vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dy javë më parë ngriti aktakuzë ndaj 45 personave.

Prokurori i rastit Naim Abazi kishte thënë se ky rast përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal të përbërë nga 45 persona, të cilët dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues juridik, kryerja e veprave terroriste, financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.

“Ndër të akuzuarit kryesorë është edhe udhëheqësi kryesor i grupit, Millan Radoiçiq, cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, kishte deklaruar Abazi.