Elshani: Krahasuar me vitin e kaluar, situata në veri është si nata me ditë

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, në njëvjetorin e agresionit të Banjskës dhe rënies së heroit Afrim Bunjaku, tha se tani situata e sigurisë është shumë më ndryshe dhe se Policia e Kosovës është në secilën pjesë të vendit.

“Situata e sigurisë në veri të vendit është më ndryshme, pozitivisht po mendoj. Sigurisht se në vitin 2022, madje 2023, deri në shtator të vitit 2023 ka qenë një periudhë me plotë të panjohura. Pas rastit të Banjskës situata është qartësuar. Policia e Kosovës është në secilën pjesë të vendit, reagimet tona janë të menjëhershme, çdo informacion qe kemi ne reagojmë”, tha Elshani.

Ai tutje tha se situata në krahasim me vitin e kaluar është si nata me ditë.

“Krahasimi me vitin e kaluar është si nata me ditë, për arsye se tani ne e dimë terrenin, i njohim rrugët, zonën, kemi informacione, komunikojmë me njerëz, është një situatë krejt ndryshme dhe kemi pasë nevojë për kohë të mbërrijmë në këtë fazë ku jemi tash. Ajo që është më rëndësi është se ka pasur shumë zhvillime gjatë vitit 2022 dhe 2023, të cilat kanë bërë që shumë grupe kriminale apo njerëz që kanë të kaluar kriminale ose të jenë të arrestuar, ose të mos jenë këtu”, tha Elshani për rtv21.

Elshani shtoi se Policia e Kosovës do të vazhdojë të punojë dhe se nuk e kanë në plan të tërhiqen.