Temperaturat përgjatë javës deri në 30 gradë, të dielën pason goditja tjetër polare

Ndonëse të dielën kemi hyrë zyrtarisht në stinën e vjeshtës, madje moti mori kthesën drastike qysh një javë më parë, duke sjellë ulje të theksueshme të temperaturave dhe intensifikim të reshjeve, por siç duket do të kemi edhe një episod me masa të nxehta gjatë kësaj jave, konkretisht nga dita e enjte.

Të martën, një ciklon që vjen nga Afrika Veriore do të prekë fillimisht Shqipërinë dhe Malin e Zi, ku priten rrebeshe lokale shiu e shkarkesa rrufesh, ndërsa tek ne do të vijë dukshëm më i dobët, duke sjellë shtim të vranësirave dhe reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara do të jenë në formë të rrebesheve afatshkurtra, të shoqëruara me ndonjë shkarkesë rrufeje.

Dita e mërkurë parashikohet me vranësira dhe intervale me diell, e lokalisht priten rrebeshe shiu e disa shkarkesa rrufesh.

Nga dita e enjte, pas kalimit të fronteve të ftohta, pritet të shtrihen masa të nxehta që vijnë edhe këto nga Afrika Veriore, duke kushtëzuar mot kryesisht me diell dhe ngritje të temperaturave.

Pra, moti kryesisht me diell dhe ngritja e temperaturave do të na shoqërojë deri të shtunën, ku maksimalet në rang vendi pritet të kapin vlerën deri në 30° C.

Të dielën pritet të kemi goditjen tjetër polare, e cila do të vijë përmes Evropës Perëndimore, ku parashihet mot kryesisht i vranët dhe me reshje lokale shiu, e temperaturat do të pësojnë ulje drastike, me maksimale prej 13 deri në 15° C. Në zonat e larta malore mund të paraqiten sërish reshjet e borës.

Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 6 deri në 15° C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 30° C.

Pra, një ulje e lehtë e temperaturave pritet të martën dhe të mërkurën, më pas ngritja fillon nga dita e enjte, sidomos të premten dhe të shtunën, të cilat do të jenë ditët më të nxehta. Të dielën ulje drastike e tyre.